Google ADS

Opozita e bindur se mocioni për rrëzimin e Qeverisë do të jetë i suksesshëm

23:09 | 9 Maj 2017
M. A.

Pas dështimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës për të proceduar demarkacionin në Kuvend, kjo çështje u paralajmërua se do të procedohet pas të mërkurën kur edhe pritet të vihet në Kuvend, mocioni për rrëzimin e Qeverisë.

E, kontaktuar nga Indeksonline, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka theksuar se është e bindur se kjo qeveri do të bie dhe se tashmë vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Kërkesa e kryeministrit në largim Isa Mustafa për të sjellë demarkacionin është një përpjekje dëshpëruese e tij për të mbijetuar politikisht sepse jo vetëm se ai tashmë e ka humbur kolltukun e kryeministrit, por e rrezikon edhe pozitën e të parit në LDK”, ka thënë Pantina.

Sipas shefit të grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj nuk është më e nevojshme të ndërmerret asgjë nga opozita lidhur me qeverisjen pasi të mërkurën kjo qeveri do të shkojë nga pushteti.

Duke komentuar vendimin që demarkacioni të procedohet pas Mocionit, Lekaj ka cilësuar këtë si tendencë nga kryeministri për të treguar se nuk i frikësohet Mocionit e që sipas tij është më se e sigurt që nesër është dita e fundit e Isa Mustafës në këtë pozitë.a

“Mocioni ka qenë i nevojshëm që kjo qeveri e këtij lloji të mos ndodhë fare, por ia që ndodhi. Kemi qenë çdo ditë në aktivitetet të cilat do të ia shkurtonin jetën kësaj qeverie. Por po besojmë që tanimë e kanë kuptuar edhe deputetë të tjerë se më mirë për Kosovën është që kjo qeveri të mos vazhdojë të jetë. Ka qenë e nevojshme edhe më herët të bëhet ky Mocion mosbesimi”, ka përfunduar Lekaj.

E, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa ka dy rrugë, ose të dorëhiqet ose rrëzimin në Kuvend e ka të garantuar.

“Qeveria në ikje e Isa Mustafës sot i ka dy rrugë, njëra është që sot të dorëhiqet dhe nëse kjo nuk ndodhë atëherë rrëzimin në Kuvend e ka të garantuar, sepse kjo do të mundësohet përmes mocionit për mosbesim që do të votohet nesër PRO rrëzimit të qeverisë”, ka thënë Bajrami për Indeksonline.

Ndryshe pritet që dita e nesërme të jetë mjaft “e nxehtë” për arsye të procedimit në Kuvendin e Kosovës të Mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë si dhe pritja e procedimit të demarkacionit për të cilat LDK-ja duhet të sigurojë 33 vota.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme