Google ADS

Deputetët e PDK-së nuk ndërrojnë qëndrim për mocionin

23:46 | 8 Maj 2017
Arbresh.info

Mocioni i iniciuar nga Nisma për Kosovën për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, përveç votës pro të deputetëve të tri partive opozitare, mori edhe mbështetjen e disa deputetëve nga koalicioni qeveritar PDK-LDK.

Në mesin e atyre që nënshkruan ishin Nait Hasani, Shukri Buja, Rafet Rama, deputetë të PDK-së, Raif Qela i Lëvizjes për Bashkim, Jelena Bontiq dhe Slobodan Petroviq të Listës Serbe si dhe Kujtim Paçaku e Danush Ademi të 6+.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj të rregullt, procedoi për në Kuvend këtë mocion, në një seancë që do të mbahet të mërkurën nga ora 10:00.

E deputetët e PDK-së kanë konfirmuar edhe një herë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar sa i përket mocionit.

Deputeti Shukri Buja ka thënë për Indeksonline se vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë për rrëzimin e qeverisë.

“E kam nënshkruar dhe vazhdoj të jem pro këtij mocioni”, ka thënë shkurt Buja.

Edhe bashkëpartiaku i tij, Rafet Rama ka përgjigje të njëjtë. Ai ka thënë për Indeksonline se edhe të mërkurën do të votoj pro mocionit.

“Çfarë kuptimi ka kur e qet një nënshkrim dhe pastaj tërhiqesh. Normal që do ta nënshkruaj”, ka thënë Rama.

Indeksonline ka provuar të kontaktoj edhe me deputetin tjetër të PDK-së që ka votuar pro mocionit, Nait Hasani, por nuk ia arriti.

Kujtojmë se pasnesër në Kuvend do të vije para deputetëve mocioni i mosbesimit për Qeverinë Mustafa, i iniciuar nga Nisma për Kosovën dhe i mbështetur unanimisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse pas kësaj seance është paralajmëruar ajo e radhës në të cilën do të vendoset për ratifikimin apo jo të marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme