Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht Presidenti i Zgjedhur i Republikës, ka uruar Emmanuel Macron për zgjedhjen e tij President të Republikës së Francës.
Në letrën e urimit, Meta thekson se me fitoren e Emmanuel Macron, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të intensifikohet më shumë dhe se Shqipëria mbështetet tek Franca dhe sidomos tek Presidenti i zgjedhur në rrugën e saj të integrimit evropian, bëjnë me dije burime zyrtare nga zyra e shtypit pranë Kuvendit.
“Kam kënaqësinë t’Ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interes të ndërsjelltë”, thekson ndër të tjera Meta në letrën e urimit drejtuar Presidentit të ri të Francës.
Më poshtë teksti plotë i letrës:
Emmanuel Macron
President i Zgjedhur i Republikës Franceze,
Shkëlqesi,
Kam privilegjin e madh që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal t’Ju përgëzoj për fitoren tuaj plebishitare në garën për President i Republikës Franceze.
Fitorja juaj madhështore është shumë e rëndësishme, jo vetëm për kombin francez, por për të gjithë kombet e Evropës së Bashkuar.
Ajo riktheu shpresën dhe besimin se projekti më i madh i mbas Luftës së Dytë Botërore i paqes, bashkëjetesës e harmonisë mes kombeve, respektit të vlerave të ndërsjellta, do të mbetet projekti i së ardhmes evropiane.
Kam kënaqësinë t’Ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.
Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interes të ndërsjelltë.
Duke Ju uruar suksese në misionin tuaj të rëndësishëm, mbetem me shpresën të bashkëpunojmë ngushtë në të ardhmen për të ndarë së bashku mendimet për sfidat dypalëshe, rajonale dhe globale që na duhet të përballim sot.
Sinqerisht
Ilir META,
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
President i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë
Pas daljes, Burimi i dërgon mesazh nga studio banores: Ti je...
Begaj dënon sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: Akte terroris...
Gjuriq për shpërthimin në Ibër Lepenc: Serbia është e gatshm...
Vetura godet dy këmbësore në Vushtrri
Gjendet pa shenja jetë një burrë në parkingun e QKUK-së
Qorolli: Sulmi në Zubin Potok është i ngjashëm me atë që Rus...