Hoti reagon ndaj një artikulli të publikuar në RTK

17:13 | 8 Maj 2017
Arbresh.info

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të një artikulli në rtklive ku sipas tij të dhënat e paraqitura në këtë analizë janë jo reale.

Reagimi i Hotit:

Fakte dhe shifra për sukseset e ATK-së gjatë mandatit të Qeverisë Mustafa

(përgjigje në analizën e dobët të RTK-së të publikuar në www.rtklive.com)

  1. Gjatë viteve kur Ministria e Financave udhëhiqet nga LDK, Administrata Tatimore e Kosovës i ka rritur të hyrat me 10% në vitin 2015 dhe 16% në vitin 2016. Kujtojmë se në vitin 2014 të hyrat e ATK-së kanë pasur rënie. Politikat fiskale që kemi ndërmarrë kanë dhënë rezultatet si në ATK ashtu edhe në Doganë.
  2. ATK ka bërë reformë të thellë në shërbimet për tatimpagues. Në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore, Kosova ka përmirësuar rangimin ndërkombëtar për 34 pozita në fushën e pagesës së taksave, nga pozita 77 në pozitën 43. Si rezultat i këtyre reformave, është përmirësuar perceptimi i bizneseve për ATK-në. Reformat kryesore përfshijnë: (i) deklarimi online për 100% të Deklarateve Tatimore; (ii) ofrimi online i shërbimeve administrative tatimore, që shkurton koston dhe kohën e kryerjes së shërbimeve në zyrat e ATK-së; (iii) njohja e shpenzimeve të trajnimit si pjesë e pakos së fundit fiskale, e cila ulë barrën tatimore për bizneset që investojnë në ngritjen e kapacitetit të fuqisë punëtore.
  3. Reformat që po ndërmerren gjatë këtij viti përfshijnë: (i) digjitalizimi i plotë i shërbimeve administrative tatimore, ku shumë shpejt pritet të fillojë lëshimi i certifikatave tatimore online për bizneset; (ii) avansimi i procesit të rimbursimit të TVSH-së bazuar në analizë risku, duke targetuar periudhë maksimale kthimi prej një muaj; dhe (iii) riorganizimi i procesit të kontrollit 100% bazuar në risk për të minimizuar koston kohore nga kontrolli tatimor
  4. Vetëm gjatë vitit 2016 janë pajisur me arka fiskale 2,308 biznese të reja. Progres i mirë është arritur në fiskalizimin e pikave të karburanteve. Në pajisjen me arka fiskale ka ndikuar shumë projekti i nxitjes së qytetarëve për të mbledhur kopunët fiskal me rastin e blerjes së mallrave.
  5. Nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, ATK ka falur borxhe prej 216 mil euro, ndërkaq janë mbledhur të hyra si rezultat i këtij ligji në shumë prej 24.2 mil euro.

Sqarojmë se konkursi i fundit në ATK është zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi që rregullojnë këtë çështje. Para një jave, ATK ka pranuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se konkursi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me këtë analizë tendencioze, RTK ka shkelur etikën profesionale duke marrë anë politike. Ministria e Financave do të dorëzojë ankesë formale në Bordin e RTK-së për këtë sjellje të gazetarëve të RTK-së./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme