Google ADS

Ymeri: Mocioni i Nismës do ta rrëzojë klanin Pronto dhe aleatët e tyre

18:35 | 7 Maj 2017
Arbresh.info

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka numëruar dështimet e Qeverisë së Isa Mustafës duke thënë që tanimë dihet se koaliconi PDK-LDK dhe Lista Serbe ka dështuar në adresimin e çështjeve qenësore të qytetarëve.

Ymeri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka theksuar se koalcioni qeverisës ka premtuar se do të hap nga 1200 mijë deri 200.000 vende pune, por ka dështuar dhe kjo ka bërë që mbi 100.000 qytetarë të ikin nga Kosova, transmeton Indeksonline.

“Ky lloji i koalicionit deklaroi se Fondi për Sigurimet Shëndetësore do të jetë gati në janar 2016, duke përsëritur premtimin e kamotshëm të Hashim Thaçit, i cili dhe ai pati deklaruar se do të ishte gati në janar 2015”, ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë i Visar Ymerit:

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë i mbështetur dhe nga Lëvizja VETËVENDOSJE! është mocion për rrëzimin e Klanit Pronto dhe aleatëve të tyre.

Tashmë çdokush e ka të qartë se koalicioni PDK-LDK-Lista Serbe, ka dështuar në adresimin e çështjeve qenësore të qytetarëve dhe ka sjellë dëme kolosale në kurriz të Republikës.

Qeveria si e tillë ka krijuar mosbesim të thellë publik.

Në kundërshtim me interesin publik PDK-LDK ia nisën bashkëpunimit duke nënshkruar marrëveshjen e Rashkës me Listën Serbe dhe vijuan me nënshkrimin e “Zajednicës” dhe Demarkacionit. Dy projekte destruktive për të ardhmen e Kosovës.

Koalicioni që i pati premtuar nga 120 mijë deri në 200.000 vende pune jo që s’i hapi ato por krijoi kushtet që në fillim të 2015-tës mbi 100.000 qytetarë të ikin nga Kosova.

Ata mbajtën peng për më shumë se një vit strategjinë dhe ligjin për Trepçën duke e rrezikuar seriozisht atë. Ky lloji i koalicionit deklaroi se Fondi për Sigurimet Shëndetësore do të jetë gati në janar 2016, duke përsëritur premtimin e kamotshëm të Hashim Thaçit, i cili dhe ai pati deklaruar se do të ishte gati në janar 2015. Të njëjtët po e rrënojnë Telekomin e Kosovës nëpërmjet gjobës për Z-mobile dhe po e zhvasin buxhetin me arbitrazhin për një privatizim të montuar me Axos gmbh.

Kjo qeveri ka dështuar edhe në luftën kundër korrupsionit për shkak se ajo buron dhe vepron sipas rrjetit të Klanit Pronto. Policia është përdorur për të përndjekur, për të përgjuar, për të shtypur e burgosur opozitën.

Në UNESCO kjo qeveri e rrezikoi Republikën e Kosovës për pak pushtet dhe famë personale.

Në vend të planeve për drejtësi shoqërore dhe luftë kundër krimit të organizuar, prioritet i kësaj qeverisje ishte kalimi me çdo kusht i amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale edhe pse Kuvendi i hodhi poshtë njëherë ato.

Qindra mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të kundërshtar 4 marrëveshjet e dëmshme me Serbinë të nënshkruara nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi në Bruksel, ku midis tyre ishin “Zajednica”, Kodi Telefonik dhe kompania serbe e telekomunikacionit, Marrëveshja për Energjinë/Elektroseveri, dhe Ura në Mitrovicë. Secila prej tyre, siç dihet tashmë, u vërtetua si e dëmshme edhe vijon ta dëmtojë Kosovën politikisht dhe ekonomikisht. E njëjta situatë dhe me marrëveshjen për demarkacionin.

Teksa e gjithë Kosova ishte në këmbë kundër 4 marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj me Malin e Zi, qeveria shtyu arbitrarisht përpara marrëveshjen klienteliste e tepër të dëmshme për ndërtimin e Termocentralit të ri në Kosovë me një kompani private, ContourGlobal.

Edhe pse i gjithë opinioni në Kosovë e jashtë saj, dëgjoi kërcënimin më të vrazhdë publik të bërë ndonjëherë nga ndërtesa e Qeverisë, siç ishte ai i Hashim Thaçit me 17 shkurt 2016, pas demonstratës popullore, së bashku me Isa Mustafën, në ndërtesën e blinduar me snajper që shënjestronin masën e njerëzve (“ikët me bisht ndër shalë, pse nuk erdhët këtu, nuk do ju kishim pritur me kafe”), Hashim Thaçi u paraqit si kandidati për President të Kosovës dhe u votua pas një dhune të shfrenuar brenda dhe jashtë Kuvendit pasi disa deputetë i kërcënuan e disa i blenë me poste e kontrata.

Të njëjtët vendosën që të deportonin duke i paraprirë me një urdhër të fshehtë, të pabërë publik kurrë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë.

Edhe pse Hashim Thaçi, krah tij Kadri Veseli e Isa Mustafa, përdorën pa kursim të gjithë arsenalin e aparatit represiv shtetëror, më 1 shtator ata u detyruan që të tërhiqeshin edhe nga rafitifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e më parë po ashtu ishte zmbrapsur krijimin i “Zajednicës”.

Kjo datë shënon në fakt dhe rënien e projekteve që Hashim Thaçi pati ndërtuar në funksion të pushtetit të tij personal sa ishte kryeministër.

Për ta bllokuar, akuzuar dhe zmbrapsur opozitën dhe protestën që pritej kundër këtij ratifikimi, u sajua, montua në mënyrë të neveritshme, arrestimi i 6 aktivistëve me 29 gusht 2016.

Astriti Dehari, një nga 6 të arrestuarit, e humbi jetën më 5 nëntor, në paraburgim. Ai vdiq dhunshëm, njëjtë siç edhe u arrestua nga forcat policore. Astriti është dëshmia e madhe e rrënimit total që ka pësuar vendi ynë, nga qeveria.

Nga dhjetori 2014 e deri më sot edhe optimisti më i madh nuk do të mund të gjente qoftë dhe një veprim dashamirës ndaj vendit e qytetarëve nga PDK dhe LDK, të udhëhequra nga Kadri Veseli e Isa Mustafa. Përkundrazi, çdo lëvizje e tyre ka pas vetes një plan djallëzor që hap rreziqe të reja.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme