Google ADS

Mocioni e demarkacioni testojnë rrëzimin e Qeverisë

17:00 | 6 Maj 2017
Arbresh.info

Mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe veprimi i menjëhershëm i kryeministrit Isa Mustafa, për procedim të demarkacionit në Kuvend, nga analistë të çështjeve politike, po shihen si veprime që mund të sjellin zhvillime tjera në vend dhe mundësi për ndonjë zgjidhje tjetër.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur të premten që të thërrasë seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Seanca pritet të mbahet të mërkurën, më 10 maj.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se demarkacioni do të procedohet në Kuvend më 8 maj. Procedimi i demarkacionit nga ana e kryeministrit për procedimin e demarkacionit në Kuvend, ka ardhur menjëherë pasi që Kryesia e Kuvendit ka miratuar mocionin e opozitës, shkruan REL.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se e gjithë kjo situatë ka qenë e pritshme, por sipas tij, fatkeqësisht në të dyja rastet po bëhet fjalë për lojë politike dhe pazare politike ndërmjet partnerëve të koalicionit.

“Kryeministri Mustafa vendos ta procedojë në Kuvend demarkacionin vetëm pasi u iniciua dhe u caktua seanca për mocionin. Në këtë formë po përpiqet ta zërë mat partnerin e koalicionit me logjikën që nëse PDK-ja nuk voton kalimin e demarkacionit, ai do ta përdorë këtë si akuzë se PDK-ja nuk deshi t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës”.

“Në anën tjetër, PDK-ja po përpiqet që me anë të mocionit ta rrëzojë Mustafën dhe këtu po i ndihmon një pjesë e madhe e opozitës, e cila këtë mocion ka mundur ta ngritë edhe më herët për shkak se këto nënshkrime ka mundur t’i sigurojë edhe shumë më herët”, thekson Mushkolaj.

Ndërkohë, për analistin e çështjeve politike, Ismajl Hasani, mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës nuk do të mund të kalojëdhe se rrëzimi i Qeverisë nuk do të mund të bëhet.

Ai konsideron se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet urgjentisht të kalojë.

“Është e drejtë legjitime e opozitës për të kërkuar mocionin e mosbesimit, është në etikën e pjesës parlamentare, por nuk mund të kuptohet bashkimi i disa individëve që i bashkohen këtij mocioni të mosbesimit, duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar. Mendoj që mocioni nuk ka shans të kalojë dhe rrëzimi i Qeverisë nuk vjen në shprehje. Ne kemi edhe reagimin e fundit të përfaqësueseve ndërkombëtarë, të cilët janë deklaruar se nuk ka zgjedhje”, vlerëson Hasani.

Për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 vota për të deputetëve.

Në rast se ky mocion i opozitës dështon, atëherë sipas akteve ligjore kushtetuese, brenda 90 ditëve të ardhshme nuk mund të ngrihet një mocion i ri i ngjashëm, që do të kishte si qëllim shkarkimin e Qeverisë.

Ndërkaq, në rast se mocionin e mbështesin 61 deputetë në seancën plenare, atëherë mbetet në vendimin e presidentit që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Duke parë të gjitha këto zhvillime, analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj, nuk përjashton mundësinë e hyrjes në kombinim edhe me zgjidhje të tjera.

“Ndoshta mund të ketë një marrëveshje, por ndoshta mund të jetë edhe një zgjidhje që edhe të prishet koalicioni në kuptimin që të largohet PDK-ja, ose ta largojë LDK-ja, pastaj ta zgjidhë këtë çështje duke emëruar ministra që nuk janë partiakë deri në një moment tjetër, në organizmin e zgjedhjeve. E them këtë duke pasur parasysh se edhe faktori ndërkombëtar është kundër që zgjedhjet të organizohen shpejt”, thekson Mushkolaj.

Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për ta nxjerrë vendin nga bllokada e vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.(REL)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme