Historiani i njohur Jahja Drançolli ka postuar një artikull të gjatë sot në rastin e ditës së lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Ka thënë se në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për çudi në çdo artikull përsëritet në trajtë shablloni origjina dibrane e tij, çështje kjo që, sipas tij, nuk mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.
“Në të vërtetë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun”, ka thënë Drançolli.
Më poshtë është i plotë artikulli i plotë që grumbullon argumentet e historianit Drançolli:
Sipas burimeve më të verifikuara, familje bujare e princërore e origjinës arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga një pasazh i librit të Jak Lukari, “Analet e Raguzës” (1605), dëshmohet origjina hasiane e Haroit: “Gjon Kastrioti zotërues i Krujës, të cilit familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën jurisdkisionin e Hasit të Arbërisë, jo fortë larg nga lumi Dri”. Kjo dëshmi për origjinën hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si dhe në një manuskript shek. XVI thuhet se, “[…] Kastriotët ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“[…] Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Sipas kryeveprës së Marin Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian, duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË ose në MIRDITË.
Burimet historike hedhin dritë se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468), është shquar për burrështeti të Arbërisë, strateg ushtarak, si dhe Hero Kombëtar e Ndërkombëtar. Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Së pari nga Novobërdasi Martin Segoni (1480), dhe më pastaj nga Barleci, Beçikemi, Frëngu, Bardhi, e ndonjë tjetër. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, gjermanë, anglezë, frëngë, sllavë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve” (1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.
Vitet e para të fëmijërisë së Skënderbeut shoqëroheshin me lulëzimit e principatës së Kastriotëve. Mirëpo, pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.
Në vitin 1438, pasi që kishte fituar besimin e Muratit II (1421-1451), Skënderbeu qe emëruar për komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe kishte vendosur kontakte me Venedikun (1438) dhe Raguzën (1439); Raguza më 1439 e kishte shpallur Skënderbeun për qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Venediku. Në një dokument osman nga vitet 1438-1443 ruhet ky njoftim: “Iskënderi [i biri Gjonit] kishte hyrë në [kuadrot] e timareve, duke dalë nga Porta e lartë”. Brenda viteve në fjalë e ndeshim për sanxhakbej në Dibër (1440). Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur trupat osmane kishin pësuar me rastin e një ofensive hungareze të Janosh Huniadit, Skënderbeu, dhe nipi i tij Hamza, si dhe 300 kalorës kishin braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”. Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu kishte formuar aleanca përmes martesës me pjesëtarët familjeve kryesore. Ai, u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra tij, Mamica, ndërkaq u martua me Karl Muzak Topinë, etj.
Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444 (njoftimin për datën e ndeshim te, G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve; në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po nga kjo qendër, është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të Kosovës. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Sipas Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët (federale); sipas traditave të lashta qe themeluar Besëlidhja, që është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “Primus inter pares” (“i pari ndër të barabartit”). Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshkvi, Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në Beograd.
Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash. Me këtë ushtri, vetëm në vitet 1444-1446 Skënderbeu i përmbysi 13 sulme osmane (Beteja e Torviollit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465, u arritën suksese, në Dibër, Pollog, fushën e Domosdove, Fushë Kosovë, grykat e luginat e Drinit e Shkumbinit, Livadhi të Ohrit (1462), fusha e Vajkalit (1465), etj. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatat e Dibrës, Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), por pasi që rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), ku sulltani për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përveç dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë ngjarje, është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, John Newport, një pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bejë këtë rezistencë”.
Rezistenca e madhe në Krujë (1450), si dhe fitorët e mëparshe (1443-1450), mundësuan Arbërinë të rifillonte procesin historik, krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane. Pas Krujës, më 1451, Skënderbeu, zuri të quhet zyrtarisht “zot i Arbërisë” (“dominus Albaniae”). Në ndërkohë, marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun ishin përkeqësuar për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Konflikti mes tyre është zgjedhur më një traktat paqeje (1448).
Në luftërat e tij, Skënderbeu kishte pasur mbështetjen e Shtetit të Papës, Republikës së Venedikut e të Raguzës, Mbretërisë së Napolit, si dhe të Mbretërisë së Hungarisë. Mbështetje, më të madhe e gjente te mbreti aragonez, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta kthente për vasal në ato toka, që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, osmanët arritën të ngadhnjejnë në Berat (1455), për ta detyruar më pastaj që Skënderbeu të transferohet në Napoli me 2.500 trupa për të përbushur detyrimin e tij sipas Traktatit. Ferdinand I (1458-1494), pasuesi i Alfonsit V (1458), kërkonte ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, Dukën Anzhu, që aspironte ta sundonte Napolin. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor të Ferdinantit, Gian Antonio Orsini, princin e Tarantos. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali për ta themeluar koloninë e parë arbreshe në Kalabri. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri. Në ndërkohë janë bërë përpjekje që të funksionalizohën luftërat e Skënderbeut edhe në planin europian. Së pari, në konferencën në Mantova (1458), si dhe më pastaj (1464), nga Papa Pius II.
Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Këtej, nuk u kursye askush. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kishte kërkuar ndihmë shteve mike. Në Romë, popullata e të gjitha shtresave kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin e lavdishëm. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.
Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano./Arbresh.info/
Sqarohen Edi dhe Gresa, kush kujt i kërkoi falje?
Rashkaj: UEFA është fajtori kryesor për ofendimet ndaj Kosov...
Opera ‘Goca e Kaçanikut’ do të shfaqet në Tiranë
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë a...
OpenAI lanson falas aplikacionin ChatGPT në Windows
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...