Kërkohet më shumë mëshirë nga presidenti Thaçi

08:08 | 6 Maj 2017
Arbresh.info

Një javë më parë u publikua dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për shpalljen e faljes së të burgosurve, të cilët kanë bërë kërkesë për falje të dënimit. 

Por, fatin për  mëshirë nga presidenti prej listës së 694 personave sa kishin kërkuar falje, e patën vetëm 12 të burgosur, 1 prej tyre femër dhe një nga komuniteti jo shqiptar.

Ky numër prej 12 personave, nga rreth 700 sa kanë kërkuar falje, po cilësohet si i vogël nga njohës të çështjeve të drejtësisë, të cilët vlerësojnë se ky numër duhet të rritet.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi,  thotë se sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, falja paraqet pushtetin e dhënë Presidentit të Republikës për t’i falur personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykatat, duke i liruar pjesërisht apo plotësisht nga ekzekutimi i vuajtjes së dënimit të shpallur nga gjykata.

Po ashtu, sipas Miftarajt edhe falja e vetëm një nga gjithsej 12 të burgosur paraqet ndikim negativ tek të burgosurit tjerë.

“Edhe përkundër se Falja është në diskrecion të plotë të vet Presidentit të Shtetit në rastet kur plotësohen kriteret me ligj, falja e një numri shumë të kufizuar të personave të dënuar, duke përfshirë vetëm një femër, mund të ketë ndikim negativ tek personat që janë në vuajtje të dënimit. Në ketë drejtim ne besojmë se Presidenti i Shtetit që të drejtën e tij ligjore të faljes mos të kufizonte në një numër kaq të vogël”, është shprehur Miftaraj për “Arbresh.info”.

Sipas tij, qëllimi i Institutit të Faljes është që personat që janë në vuajtje të dënimit dhe të cilët kanë pasur sjellje të mirë në institucionin korrektues dhe që plotësojnë kriteret me ligj të përfitojnë nga mëshira e Presidentit të Shtetit.

Kjo, sipas Miftarajt, po ashtu shërben edhe si masë preventive për personat e tjerë që janë në vuajtje të dënimit se me sjellje të mirë mund të përfitojnë nga Falja e Presidentit.

Ndërkohë në prag të përvjetorit të Pavarësisë, Zyrës së Presidentit i ishin dorëzuar  694 kërkesa nga të burgosurit për faljen e dënimit të tyre.

Ndërsa prej këtij numri përfituan vetëm 12 prej tyre.

Sipas dekretit të presidentit, i cili ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, më 28 prill, dënimet u falen këtyre personave: Ali M. Rugova, i falet pjesa e mbetur e dënimit; Armet H. Hamiti, i falet pjesa e mbetur e dënimit; Dalibor C. Trifunoviq, i falet pjesa e mbetur e dënimit; Daut S. Sadriu, i falen 6 muaj; Demokrat Z. Ahmeti, i falen 9 muaj; Ejup Y. Muharremi, i falet pjesa e mbetur e dënimit; Fehmi Z. Kukiqi, i falen 6 muaj; Hajdar M. Dili, i falen 12 muaj; Hajdar N. Muqiqi, i falen 12 muaj; Jaha G. Hasani, i falen 12 muaj; Osman Z. Zymberi, i falen 12 muaj; Sahadete F. Elezi, i falen 12 muaj. /Arbresh.info/ Gita Lushi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme