Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin e radhës konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Para shoqërisë civile, presidenti Thaçi ka prezantuar edhe draftin e projekt-rregullores me të cilin do të dekretohet themelimi i këtij komisioni.
“Shoqëria civile ka kontribuar në të gjitha këto projekte dhe ka bërë përvojë të vlefshme. Ajo mund të ofrojë rekomandime të vlefshme për projektin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Inkurajuese është edhe përkrahja që kemi marrë në vazhdim nga ekspertë ndërkombëtarë dhe organizata ndërkombëtare, që janë të gatshëm të mbështesin në forma të ndryshme projektin”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova ka specifikat e saj dhe komisioni ynë do të jetë i udhëhequr nga kosovarët dhe i përshtatur për nevojat e Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se dekreti me të cilin do të themelohet komisioni duhet të garantojë pavarësi, paanshmëri dhe gjithëpërfshirje.
“Duhet të sigurojë edhe lirinë që të përcaktojë vetë statutin dhe organogramin e komisionit, që të lejojë fleksibilitet të mjaftueshëm për t’iu përshtatur nevojave dhe kushteve të Kosovës”, ka thënë ai.
Presidenti ka shtuar se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin është i pari i këtij lloji në Ballkan dhe me këtë po bëhet hapi i madh drejt mbylljes së kapitullit të luftës.
“Komisioni do të ndërtojë kujtimet e përbashkëta për luftën, por edhe do të nxjerrë mësime dhe rekomandime që të mos lejojmë që lufta të përsëritet. Kemi dëshmuar se jemi të përcaktuar për një kapitull të ri, të paqes, të bashkëpunimit e të bashkëjetesës, në Kosovë dhe në rajon. Po punojmë që të ndërtojmë kapacitetet për të ndërtuar dhe për të ruajtur këtë paqe. Kjo kërkon guxim dhe vizion dhe si Kosovë kemi treguar se kemi të dyja, guximin dhe vizionin”, është shprehur presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se e dimë qartë se ku dëshirojmë të arrijmë dhe po ecim me hapa të mëdhenj drejt NATO-s dhe BE-së.
“Vlerat që promovon Kosova e bëjnë vendin tonë jo vetëm të pranueshëm, por shembull që duhet të promovohet gjithandej. Shoqëria shumetnike, bashkëjetesa në mes feve, angazhimi për paqe dhe stabilitet, për sundim të ligjit dhe zhvillim janë vlerat për të cilat angazhohemi si Kosovë”, u shpreh ai.
Në fund, presidenti Thaçi tha se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin është një nga gurthemelet e kësaj shtëpie që po ndërtojmë, e cila është shembull për rajonin dhe më gjerë.
Tërmet në Gjirokastër
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...