Iva Aliko përballet “live” me pronarin e dyqanit të kafshëve që e ka paditur!

21:55 | 4 Maj 2017
Arbresh.info

Videot dhe fotot e bëra publike në profilet sociale të dy vajzave, Roza Lati dhe Iva Aliko, kanë marrë vëmendjen maksimale ditët e fundit për shkak të një kauze sociale.
Denoncimi për një dyqan kafshësh në rrugën “Myslym Shyri”, i cili ishte jashtë ҫdo standardi, mori shkas si fillim nga ngordhja e qenit të Iva Alikos, por problematika u zgjerua më pas edhe nga raste të tjera me të njëjtin fat.

E ftuar sot në “Rudina” në Tv Klan, Iva Aliko ka rrëfyer edhe një herë historinë e qenit të saj, që e shtyu të bënte edhe një denoncim në prokurori të pronarit të dyqanit, Artan Zabeli. Ky i fundit, pak ditë më parë, bëri gjithashtu publik denoncimin e tij për prishje imazhi të biznesit nga dy vajzat e njohura, Roza dhe Iva, shkruan class.

Iva ka rrëfyer se Sisin, qenin e saj, e ka blerë në dyqanin “Tani” dhe vetëm pak ditë pasi e kishte blerë, qeni ishte sëmurur. Duke menduar se mund të kishte ndonjë ftohje të vogël apo ndonjë virozë, Iva e ka ҫuar për vizitë, por për fat të keq, ka mësuar se Sisi ishte i pavaksinuar, i keqatrajtuar dhe i kequshqyer. Nga studio e “Rudina”, por edhe me videot dhe fotot që i ka bërë publike së bashku me Rozën, Iva ka denoncuar edhe një herë publikisht mashtrimin që i është bërë nga “Tani”, jo vetëm për racën e qenit, por gjithashtu edhe për vaksinimin, sëmundjen që qeni e kishte prej kafazit të dyqanit, gjithashtu edhe për mungesën e korrektësisë së pronarit për ҫmimin e vërtetë të tij: “Ai më ka mashtruar për racën dhe për ҫmimin e vërtetë… Sisi ka qenë e sëmurë që në dyqan” – tregon Iva, ndër të tjera, duke iu referuar edhe një herë pronarit të dyqanit “Tani”.

Nga ana tjetër, Artan Zabeli, në një lidhje direkte për programin, tha se qeni ka ngordhur një muaj e gjysmë pasi është blerë nga dyqani, kështu që ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për këtë gjë. Po ashtu, ai tha se Iva është larguar nga Shqipëria dy ditë pasi e ka blerë qenin, në një kohë kur e dinte se qeni nuk mund të udhëtonte gjatë pa bërë 48 orë në qetësi.

Pas debatit publik nga studio e Tv Klan, Iva dhe Tani kanë deklaruar se tashmë ҫështja mes tyre ka shkuar në gjykatë dhe pritet që e gjithë dinamika të zbardhet prej saj. Iva tha se ajo dhe Roza i kanë të gjitha dokumentet e nevojshme për t’u përballur në gjykatë me pronarin dhe nuk druhen nga asgjë përpara rastit të keqatrajtimit të kafshëve.

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme