Kryeministri Mustafa e ministri Stavileci paraqiten sot në interpelancë

07:10 | 4 Maj 2017
Arbresh.info

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdojë sot seancën me pika të mbetura nga seancat e kaluara.

Në seancën e sotme Kuvendi do të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, rekomandimet në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimet në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Më pas, në interpelancë do të paraqitet kryeministri Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

Më pas, para deputetëve, në një interpelancë tjetër lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike, do të jetë ministri Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.

Dy pikat e fundit të rendit të ditës, do të jenë shqyrtimi i parë i Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, si dhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme