Dhëndri i Trump “harron” të deklarojë pronat

02:22 | 4 Maj 2017
Trina Galanxhi

Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit Trump, nuk tregoi në formularin e transparencës financiare, se është bashkëpronar i një kompanie pronash të paluajtshme dhe që ka marrë kredi nga bankat, për prona ku është bashkëpronar. 

Aksionet që Kushner zotëron në kompaninë “Cadre”, bëjnë që ai të jetë ortak biznesi me grupin “Goldman Sachs”, si dhe miliarderë si George Soros apo Peter Thiel.

Gazeta “Wall Street Journal”, e cila kreu rishikimin e dokumenteve zyrtare, thotë se aksionet në kompaninë “Cadre”, janë një prej shumë interesave dhe lidhjeve me institucionet e mëdha financiare që Kushner nuk identifikoi në formular. Mes tyre ka edhe borxhe që arrijnë në një miliard dollarë, nga më shumë se 20 kreditorë për prona dhe kompani, ku Kushner është bashkëpronar.

Ekspertët thonë se nuk duket që Kushner të ketë shkelur rregullat duke harruar këtë kompani, por është e rëndësishme që zyrtarët të bëjnë publike gjithçka, pasi çdo gjë që mund të përbëjë konflik interesi duhet ekzaminuar.

Por avokatja e Kushner, Jamie Gorelick, tha se klienti i saj e ka përmendur kompaninë “Cadre” në rishikimin e të dhënave të tij. Ajo shtoi se Kushner e ka diskutuar çështjen me zyrën qeveritare të etikës dhe më pas dha dorëheqjen nga bordi drejtues i kompanisë, nuk ka më të drejtë vote aty dhe pakësoi aksionet e tij, që të mos ketë asnjë rol në kompani.

Ekspertët e etikës druhen se lidhjet e biznesit të Kushner mund të rrezikojnë paanshmërinë e tij në fusha të caktuara, prandaj gjithçka duhet bërë publike. Por avokatja e tij, Gorelick, e cila ka punuar si zëvendës prokurore e përgjithshme në administratën Clinton, tha se Kushner do të jetë gjithnjë në linjë me rregullat e etikës së qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme