Fadil Vokrri kujton datën historike për Kosovën

14:58 | 3 Maj 2017
Arbresh.info

Federata e Futbollit e Serbisë dhe tërë makineria serbe kishin qitur flakë për goje kur me 3 maji të vitit të kaluar Federata e Futbollit e Kosovës u pranua në asociacionin më të lart evropian, në UEFA, pastaj me 13 maj në FIFA. Ishte dita më e madhe në historinë e futbollit tonë, ndërsa në anën tjetër serbët reaguan si të çmendur. 

“Sot po bëhet një vit që kur në Budapest të Hungarisë u mbyll një epokë e izolimit të futbollit të Kosovës për t’u hapur një faqe e re dhe dyert ndërkombëtare, duke shënuar kështu një ditë historike për të gjithë. Në këtë ditë nuk ka si të mos kujtojmë çastet kur unë dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ishim në sofrën ku po gatuhej një vendim shumë i rëndësishëm për futbollin e Kosovës. Ndonëse thellësisht isha i bindur se këtë herë do të ngadhënjejmë, diku në skaj mendje kisha një dozë çka nëse nuk arrihet qëllimi!?

Jo për veten time, por për të gjithë ata mijëra njerëz që me vesh  e sy ishin drejtuar kah Budapesti, duke pritur vendimin për pranim në UEFA, e kjo të mos ndodhte a do të shuhej shpresa dhe ëndrra e kamotshme e tyre? Për këtë ditë ishin sakrifikuar shumë breza, ndërsa ne kishim punuar fortë me këmbëngulësi, urtësi dhe miq që kjo do të bëhet realitet. Momenti vendimtar kishte arritur, ëndrra e jonë u bë realitet dhe në veten tonë shpërthejnë emocione dhe ato bëhen edhe më të fuqishme tek i shikoja lotët e gëzimit të gazetarëve të Kosovës, të cilët nuk u përmbajtën dot.

Jehu i kësaj dite kumboi anë e mbanë rruzullit tokësor, ku preku çdo zemër e shpirt shqiptari. Kosova në UEFA, ky ishte vendimi i Kongresit të UEFA-s. Kjo datë dhe Budapesti tashmë është në mendjen e çdo shqiptari si një histori që do të shkruhet me shkronja të arta. Duke kujtuar këtë ditë nuk mund të mos kujtojmë gjithë ata breza që u sakrifikuan e dhanë gjithçka deri në flijim për futbollin e Kosovës e që janë heronjtë e Kosovës. Nuk mund të mos i kujtojmë të gjithë miqtë tanë vendor dhe ndërkombëtar që na mbështeten parezervë për të arritur qëllimin tonë. Thonë njeriu nuk i harron dy fytyra njerëzish, ata që të japin dorën kur ke nevojë dhe të atyre që nuk të dhanë dorën kur kishe nevojë.

Të gjithë ata që na ndihmuan në këtë rrugëtim tonë me plotë mund e sakrifica kanë një vend të veçantë në historinë e futbollit të Kosovës. Ne do t’u jemi mirënjohës përgjithmonë. Dhe tash kur kujtoj dhe kthej kokën prapa  dhe shoh ku kemi arritur mendoj se kemi arritur shumë. Por, kur kthej kokën përpara e shoh cakun, them se kemi shumë për të bërë. Qëllimi është arritur e tash bashkërisht do të ecim tutje, duke bërë detyrat si është më së miri dhe duke bërë më të mirën për futbollin e Kosovës. Unë besoj e shpresoj në këtë”, thuhet në fjalën e Vokrrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme