Google ADS

LSDM e vendosur: Xhaferi u zgjodh, do formojmë qeverinë e re

12:03 | 1 Maj 2017
Arbresh.info

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, me anë të një deklarate për medie, tha sot se kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi është zgjedhur prej shumicës parlamentare përmes rrugës ligjore dhe legjitime në pajtim me Rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën dhe e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

“Ajo që për të pestin muaj me radhë për shkak të bllokadave të VMRO-DPMNE-së nuk mund të formohet Qeveri e re, reflektohet në mënyrë të dëmshme ndaj stabilitetit të shtetit, por edhe ndaj interesave të qytetarëve. Sikur të kishte sot Qeveri të re, këtë 1 maj të gjithë punëtorët do të kishin pagë minimale prej 12.000 denarë. Ky është vetëm një shembull që e humbin qytetarët për shkak të interesave të një grupi të vogël në krye me Nikolla Gruevskin, i cili po përpiqet me dhunë ta parandalojë transferimin e pushtetit”, theksohet në deklaratën për shtyp të kësaj partie.

“Me sjellje të matur, shumica parlamentare e ndaloi tentimin e Nikolla Gruevskit, Gjorge Ivanovit, Trajko Veljanoskit, Mitko Çavkovit, që të shkaktojnë përleshje ndërqytetare, ndëretnike, grusht shtet dhe krijimin e bazës që Ivanov të shpall gjendje lufte.Vazhdojmë t’i udhëheqim proceset, me qetësi dhe maturi. Njëherësh për qetësi ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve. Shumica parlamentare do ta plotësojë obligimin e tij ndaj qytetarëve deri në fund”, thuhet më tej në deklaratën e LSDM-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme