Radonçiqët më të fortë se shteti

11:12 | 29 Prill 2017
L G

Komuna e Skenderajt nuk ka arritur t’i  kryej obligimet në raport me Leonora Jakupin, sipas kontratës së nënshkruar me 27.11.2014 për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, pasi që familja boshnjake Radonçiq nuk ishte ndarë e kënaqur që për 62 metra katrorë që i posedon me letra t’i merrte 5 banesa, por kërkonte edhe 5 garazhe, shkruan “Zeri.info”.

Se ligjet në Kosovë nuk vlejnë për të gjithë njëjtë tregon rasti i fundit, kur këngëtarja e njohur Leonora Jakupi nuk ka arritur që ta realizojë projektin e saj për ndërtimin e një objekti banesor – afarist në pronën komunale, të cilën e kishte fituar në ankand publik para gati tri vjetëve, pasi që një familje boshnjake, Radonçiq,  ka dalur të jetë më e fortë dhe më e fuqishme se shteti. Si familje minoritare dhe duke u kërcënuar me EULEX, Radonçiqët nuk e kanë lejuar komunën t’i kryej detyrimet në raport me Leonora Jakupin, sipas kontratës se nënshkruar me 27.11.2014.

Në ankandin publik të 27 nëntorit të vitit 2014 të komunës së Skenderajt për dhënie në shfrytëzim të dy parcelave prej nga 5 ari, Leonora Jakupi kishte dalë fituese pasi kishte ofruar kushte më të favorshme.

Me kontratën e nënshkruar me komunën, Leonora Jakupi ishte obliguar që të ndërtojë me kohë objektin, si dhe t’u sigurojë familjeve që ndodhën në ato prona të komunës, hapësirë banesore për aq metra katrorë sa posedojnë, ndërsa komuna e Skenderajt ishte obliguar që ta lirojë pronën dhe të mundësojnë investitorit ndërtimin pa problem.

Ylli i muzikës shqiptare, Leonora Jakupi, kishte paguar 40 mijë euro në komunën e Skenderajt në emër të pjesëmarrjes në ankand, si dhe 8 mijë euro për pajisje me leje ndërtimi.

Përveç Leonora Jakupit, e cila dëshironte të ndërtonte në pronën komunale ku kishte jetuar babai i saj, Qazim Jakupi, me të njëjtin ankand i ishin dhënë në shfrytëzim për 99 vjet edhe 5 ari tokë komunale Valon Malajt, ndërsa kishin mbetur edhe 5 ari të tjerë nga 20 ari sa gjithsej ishin në ankand, pasi që për atë pjesë nuk kishte pasur të interesuar.

Në ndërkohë, komuna kishte ftuar në takim të gjithë kryefamiljarët e shtëpive të ndërtuara në pronën komunale, para më shumë se 50 vjetëve dhe u kishte siguruar se ata do të përfitojnë banesa të reja aq sa posedojnë hapësirë me letra, në objektin që do ta ndërtonte Leonora Jakupi.

Por anëtarët e familjes boshnjake Radonçiq, Sefedini, Nuredini, Izeti, Safeti dhe e ëma e tyre Satka (Sofia) nuk ishin pajtuar. Ata kërkonin 5 banesa, një për nënën dhe katër të tjera për katër vëllezërit. Duke shfrytëzuar të qenit minoritet dhe duke kërcënuar me EULEX-it, ata kishin shantazhuar vazhdimisht komunën, duke rritur kërkesat e tyre, me kushtin që ta lirojnë hapësirën komunale të dhënë në shfrytëzim afatgjatë.

Përveç 62 metra katrorë që i posedojnë me letra, njëri prej vëllezërve Radonçiq, Safeti, kishte ndërtuar gjatë kohës së UNMIK-ut pa kurrfarë leje dhe pa asnjë dokument një shtëpi prej 64 metra katrorë në të njëjtën hapësirë dhe kërkonte banesë edhe për atë shtëpi.

E për ta mbyllur çështjen me këtë familje, Leonora Jakupi kishte pranuar që familjes Radonçiq t’i jepte 3 banesa, një banesë Valon Malaj, ndërsa një banesë ua kishte siguruar komuna e Skenderajt, gjithsej 5 banesa aq sa kishin kërkuar ata. Dhe kur komuna kishte menduar se çështja u zgjidh dhe kur Leonora Jakupi përgatitej për të filluar me ndërtimin, përsëri Radonçiqët kishin dalë në skenë.

Ata tani kërkonin edhe 5 garazhe dhe meqë komuna e Skenderajt nuk mundi t’ua plotësonte edhe këtë kusht, nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se e kishte gjetur më të udhës që ta shkëpuste kontratën me Leonora Jakupin dhe gjendjen ta kthejë siç ishte përpara.

“E gjeta më të udhës që ta shkëpus kontratën me Leonora Jakupin, sesa t’i largojë me dhunë Radonçiqët nga aty, nuk kishte zgjidhje tjetër. Me ligj ata kam mundur t’i largojë nga aty, pasi që investitori ua siguronte banimin derisa ta përfundojë objektin, por ata këmbëngulnin edhe për 5 garazhe.

Prona është e komunës dhe gjithçka është e qartë dhe me ligj, por kjo ishte zgjidhja”, ka thënë nënkryetari Nura.

Nura ka shtuar se e ka ftuar Leonora Jakupin, ia ka shpjeguar situatën dhe në fund kanë arritur marrëveshje për shkëputje të kontratës.

“Pas nënshkrimit të kontratave janë krijuar rrethana të paparashikueshme të cilat e vështirësojnë përmbushjen e detyrimeve të dyanshme të palëve kontraktuese, rrethana këto që nuk mund të evitohen. Me këtë marrëveshje, komuna e Skenderajt obligohet që t’ia kthejë Leonora Jakupit 48 mijë euro që i ka paguar në emër të pjesëmarrjes në ankand dhe për leje ndërtimi, 20 mijë euro në vitin 2017 dhe 28 mijë euro në vitin 1918”, thuhet mes tjerash në marrëveshjen e nënshkruar për shkëputje të kontratës në mes të  nënkryetarit të Skenderajt, Fadil Nura dhe Leonora Jakupit.

Ndryshe, dhënia në shfrytëzim e pronës komunale Leonora Jakupit kishte nxitur reagime të ashpra në Skenderaj, posaçërisht të ish-këshilltares komunale nga LVV, Ajnishahe Halimi, tani pjesë e PDK-së, e cila siguronte se prapa Leonores qëndronte Sami Lushtaku.

Madje ajo kishte shkuar tek Radonçiqet dhe tek një familje tjetër nga Llausha që ka banesë në atë hapësirë dhe kishte kërkuar nga ata që të mos pranojnë të largohen me asnjë kusht, pasi që siç u kishte thënë ajo, “pronën e tyre ua ka marrë Sami Lushtaku”./ZERI/.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme