Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë gjetur një varg mangësish në Projektligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë. Për këtë arsye, ky projektligj vazhdon të diskutohet në komisionet parlamentare.
Kryetari i komisionit për Arsim Shkencë dhe Teknologji në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se Ligji për Arsimin e Lartë në Kuvendin e Kosovës ka ardhur para një viti e gjysmë të cilin sipas tij komisioni e ka shqyrtuar dhe pastaj e ka përcjellë për në seancën plenare.
Ai ka akuzuar ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami për mashtrim në Kuvend se kinse ka dashur të miratoj projektligjin gjë që nuk ka ndodhur nga ana e tij.
“Ndërsa ministri edhe pse ka bërë kërkesë më tërheqë në Qeveri projektligjin ai ka prezantuar mashtrim në Kuvend që kinse ai është për të miratuar projektligjin e arsimit në Kuvend. Kjo tregon se ministri ka mashtruar Kuvendin me Projektligjin për Arsim”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se qëllimi i tij dhe i deputetëve është që të shqyrtohet projektligji dhe të përmirësohet arsimi në Kosovë në shumë pika.
“Kërkesat e mia, të deputetëve dhe të opozitës janë që të shqyrtohet ky projektligj për të përmirësuar arsimin në Kosovë, sidomos pas rezultatit të testit PISA. Projektligji i Arsimit është politik dhe arsimi është në të gjitha fazat keq i menaxhuar”, ka shtuar Hasani.
Sipas tij, arsimit në Kosovë i nevojitet një pako ligjore përmes së cilit të merret si model vetëm një shtet e jo shtatë shtete siç ka ndodhur deri më tani.
“Në Kosovë duhet një pako ligjore e të gjitha ligjeve të arsimit, të merret si model nga një shtet dhe jo si deri më tash nga 7 shtete duke marrë nga një model të ligjit dhe tani kemi shtatë modele të arsimit në Kosovë nga shtat shtete, që është bërë një mish mash që askush nuk mund t’i bie në fije. Unë kam kërkuar nga kryeministri që të kemi një paketë të Ligjeve të Arsimit në përgjithësi dhe të mos ndryshohen për një afat 10 apo 20 vjeçare që do të kishin prodhuar një gjeneratë të nxënësve, studentëve dhe të profesorëve të suksesshëm”, ka thënë Hasani.
Hasani thotë se për trajnime në arsim janë investuar 100 milionë euro në 15 vitet e fundit të cilat sipas tij nuk kanë sjellë rezultat pozitiv pasi që këtë më së miri e tregoi testi i Pisa-s
“Këtu te ne kur nuk po munden ta ndërrojnë një nëpunës, atëherë po e ndërrojnë Ligjin me ja përshtat nëpunësit. Dhe kjo është gjëja më e tmerrshme që ka ndodhur në arsim.”
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë për arbresh.info se problemi qëndron te arsimi në gjuhën serbe që po kërkohet nga Lista Serbe të vendoset nën kontrollin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë arsye po shtyhet nëpër seanca miratimi i këtij Ligji.
“Problemi qëndron tek Kushtetuta e Kosovës e cila parasheh që ligjet nga fusha të caktuara, në mesin e të cilave bën pjesë edhe arsimi, mund të miratohen vetëm me pëlqimin e 2/3 të përfaqësuesve të komuniteteve”, ka thënë Popovci.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim nga radhët e VV-së Ismaj Kurteshi, në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se ky projektligj duhet të garantoj barazi për të gjithë studentët dhe të mos privilegjoj askënd.
“Ky projektligj duhet të garantoj mundësi të barabarta për të gjithë studentët. Projektligji duhet të garantoj barazi të plot për të gjithë. Projekt ligji nuk duhet të legjitimon privilegje për askënd duke paraparë përjashtime që janë në kundërshtim të plot me frymën e projektligjit si në rastet në vijim”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, Ligji lejon shmangie nga kriteret e parapara me ligj si për shembull, në nenin 14 ku thuhet:” Vetëm ato grada dhe diploma që lëshohen nga institucioni i akredituar dhe licencuar i arsimit të lart njihen nga Qeveria e Republikës së Kosovës…” në të njëjtin nen në vazhdim thuhet:”Qeveria e Kosovës do të ketë të drejtë të krijojë një masë afirmative për validimin e diplomave dhe gradave për të mbështetur parimet e barazisë dhe drejtës për punësim…” Kështu i lejohet Qeverisë të ndërhyj në punët e institucioneve të arsimit të lartë, kështu pikërisht promovohet e kundërta e barazisë”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, edhe neni 6 i këtij Ligji në anën tjetër e mundëson themelimin e jashtëligjshëm të institucioneve të arsimit të lartë.
Ai ka thënë se pozita i është nënshtruar kërkesës së Listës Serbe që të mos ndryshojnë këtë projektligj duke shtuar se serbët në Kosovë po punojnë me plan-program të Serbisë në të gjitha nivelet e arsimit.
“Pozita në të vërtet i është nënshtruar kërkesës politike të Listës Serbe, për mos ndryshimin e projektligjit edhe pse serbët në Kosovë në të gjitha nivelet e arsimit punojnë me plan-programe e Serbisë. Këto pengesa të paarsyeshme nga komuniteti serb, i ndikuar drejtpërdrejt nga Serbia janë të papranueshme. Kosova nuk mundet pafundësisht të mbetet peng i formulimeve të gabuara të Pakos së Ahtisarit në Kushtetutën e Kosovës”, ka treguar Kurteshi.
Projektligji për arsimin e lartë është në sirtarët e Kuvendit të Kosovës që nga 10 nëntori i vitit 2015, dhe deputetët kanë para tyre këtë projektligj që nga atëherë, por ende nuk ka kaluar në asnjë lexim në seancë plenare./Arbresh.info/R.Rexhepi
“E kam duet me Sala Jasharin”, Rovena këndon para banorëve k...
Biden po përgatit paketën e ndihmës ushtarake prej 725 milio...
“Kam ardhur nga Anglia për të festuar në Vlorë”,...
Konjufca: Shqipëria dhe Kosova janë një dhe të pandashme
Sveçla: Gëzuar 28 Nëntorin, festën tonë kombëtare që do të n...
Berisha: Pavarësia, akt shpëtimtar nga Ismail Qemali