Ambasadori i Shqipërisë tregon si iu dha nënshtetësia Ramush Haradinajt

23:43 | 26 Prill 2017
M. A.

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me dekret të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka marrë nënshtetësinë e shtetit shqiptar, së bashku më bashkëshorten e tij.

Kjo nënshtetësi është marrë vetëm pak ditë ku pritet të vendoset përfundimisht për ekstradimin apo jo për në Serbi të ish-kryeministrit Haradinaj.

“U jepet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave: Ramush Hilmi Haradinaj dhe Anita Mustafë Haradinaj”, thuhet në dekretin e firmosur nga presidenti i Shqipërisë.

Por ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë për Gazetën Insajderi, se kjo nuk lidhet asgjë me procesin që po zhvillohet kundër tij në Francë.

“Kjo nuk ka fare lidhje me gjykimin. Ka qenë një procedurë e nisur prej kohësh. Ka kërkuar që të pajiset më një pasaportë të Shqipërisë, dhe kaq. Kjo nuk ka lidhje me procesin që po zhvillohet kundër Ramush Haradinajt në Francë ”, ka thënë ambasadori Minxhozi për Insajderin.

Për më tepër, nesër pritet të merret vendimi përfundimtar për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, që është duke u mbajtur në Francë me fletarrestim të Serbisë, nën dyshimin se ka kryer krime lufte.

Deri më tani Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, që ishte themeluar për krimet në ish-Jugosllavi, ndërsa ka vazhduar një proces disamujor tash në Colmar të Francës që nesër pritet të marrë fund.

Mësohet se seanca do të nisë në orën 9 të mëngjesit, ku Gjykata do të vendosë përfundimisht për ish-kryeministrin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme