Sot, përpos me shumë miq e dashamirë, u takova edhe me presidentin e kompanisë më të madhe në Kosovë, të kompanisë me famë botërore, me presidentin e “Mabetex”-it, Behgjet Pacollin, njëherësh kryetar i Aleancës Kosova e Re.
Që ta takojë Pacollin një qytetar si puna ime, së pari duhet të presë disa minuta në korridorin e zyrave të bukura dhe të gjera, gjithandej të drunjta, të veshura me dru masiv, të “Mabetex”-it, që fillimisht të dalë dikush nga zyra e Pacollit e të të vijë radha ty për takim me të.
Të presësh kaq shkurt sheh aty, teksa vijnë te recepcioni, për takim me Pacollin ose me ndonjë zyrtar të firmës gjigante të tij, njerëz me fytyra të zbehura dhe të buzëqeshura; të thyer moralisht nga skamja dhe që s’prekin në dysheme për pasurinë që kanë bërë dhe që mezi dinë të të përshëndesin.
Vinin dhe hynin njerëz që, s’kishe ndryshe si e quaje atë vend, përpos si administratë komunale, si një qendër për ndihmë sociale, ose si një qendër për punësim. Dikush kërkonte punë, dikush kryente shërbim për partinë, dikush për “Mabetex”-in, ndonjë tjetër enkas për Pacollin. Hyrje-daljet e njerëzve nuk i pashë më kur u bëra bashkë me Pacollin në një zyrë të gjerë, të qetë, po ashtu të drunjtë, ai përballë nesh – meje dhe këshilltarit të vet, Jetlir Zyberajt.
Kishte dëgjuar për mua vite më parë, në kohën kur për librin e tij, “Nga sfida në sfidë”, pata shkruar dhe publikuar një recension. Sigurisht se sot, dy-tre vjet pas atij publikimi, nuk do t’i kujtohej emri im po mos t’ia kujtonte, pak kohë para se të takohej me mua, këshilltari i vet, Zyberaj. Dhe, të takoheshe me Pacollin ishte po sikur të takoheshe me një qytetar të thjeshtë, me të cilin ke shoqëri qëmoti, me të cilin mund të flasësh sikurse flet e jo sikurse shkruan, për çfarëdo teme.
Temë të diskutimit zgjodhëm të kemi: librin, kulturën e Kosovës, përkrahjen e vogël të kulturës së Kosovës nga institucionet kryesore qendrore të saj dhe nga ato lokale. I bëra me dije Pacollit se sa shpenzohet sot për një botim të një libri. E informova për librat që botohen sot dhe se kush boton mirë dhe kush boton keq. E informova edhe për shtypshkronja të librave. Edhe për llojet e shtypit. Ndër të tjera, edhe për përkrahjen shumë të vogël të Ministrisë së Kulturës për botim të librit, për blerje të librit dhe të revistave kulturore.
I thashë Pacollit se shteti nuk ka interesim për ruajtje dhe për bartje të kulturës kombëtare dhe të kujtesës së saj nga koha e luftës më të fundit. I dhashë një shembull dhe i tregova se, gruaja e profesorit tim, e Haqif Mulliqit, Shpresa Mulliqi, gjatë kohës së luftës, sa ai ishte gjallë, ka realizuar, në prani të familjes së Adem Jasharit, një intervistë me Hamëz Jasharin, një pjesë e së cilës është transmetuar në Radio Televizionin Publik të Kosovës javë më parë. I thashë se për këtë intervistë, për pastrim (që kushton 10 000 euro) dhe për ruajtje e shumëzim të saj, nuk ka treguar kurrfarë interesimi shteti, institucionet e kulturës, Ministria e Kulturës, Instituti i Historisë, as Arkivi, as Komuna e Skenderajt. Askush tjetër përpos familja Mulliqi. Por, të gjithë kanë qejf ta dëgjojnë atë zë të Hamzës, të Ademit, edhe vajin e fëmijëve të tyre që, teksa i dëgjojmë, na rrëqethin trupin kur i kujtojmë e i përfytyrojmë.
Ai tha se është këtu të kryejnë punë kur ka kërkesa të tilla dhe kur janë qëllimmira. Ai tha se është i interesuar ta përkrahë kulturën sepse nëpërmjet saj, po si nëpërmjet të arriturave në sport dhe me prodhime të Kosovës, mund të bëhemi më të rëndësishëm dhe të na kushtohet vëmendje më e madhe në të gjitha shtetet e botës.Ai tha se në Kosovë është duke investuar shumë.Tha se në këtë vend ka investuar, deri më tash, mijëra miliona euro.
Tha se do të vazhdojë të investojë edhe mijëra miliona të tjera. Tha se, gjatë gjithë këtyre viteve prej që e ka kthyer gjithë vëmendjen në Kosovë, ka pasur sfida të shumta dhe ngatërresa dhe kurthe të mëdha nga njerëz të pandërgjegjshëm e grabitqarë të cilave dhe të cilëve, me maturi, u ka bërë ballë dhe i ka bërë të realizueshme qëllimet e veta.
E ndërpremë bisedën me të duke më ftuar të marr pjesë në një takim në Gjilan, pa librezë të partisë, apartiak si deri më tash, pa bindje për t’u anëtarësuar në ndonjërën parti dhe hedhur votën ndonjë bartësi të listës së sivjetme zgjedhore. Pacolli u nis, pa mua, me këshilltarin e vet dhe me disa të tjerë, për Gjilan.
Pjesën tjetër të ditës mbeta duke e veneruar Prishtinën, edhe librin e Salajdin Salihut, edhe duke qarë hallet me Abdullah Zenelin për lëmoshën e sivjetme të MKRS-së për blerje të librit.
Mbase ka mundësi që biznesmenët, pos kah investimet në fabrika, ta kthejnë kokën edhe kah kultura!
Mbase! Mbase! Mbase!
Berat Armagedoni
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...