Ku dallon Macron nga Le Pen?

23:37 | 25 Prill 2017
Trina Galanxhi

Më 7 maj, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen luftojnë për çelësat e “Elizesë” në betejën finale të presidencialeve franceze. Ish-bankieri 39-vjeçar, fitues i raundit të parë, renditet në krye në të gjitha sondazhet, që nuk u gabuan kësaj radhe më 23 prill.

Nëse do të fitojë, ai do të bëhet presidenti më i ri në historinë moderne të vendit dhe i pari president që nuk del nga dy partitë e mëdha. Po ku qëndron kandidati i pavarur në raport me çështjet kyçe, që ngjallin shqetësim sot në Europë?

Së pari, Macron është një proeuropian, ndryshe nga Le Pen që premton ta nxjerrë Francën nga BE-ja, nëse vendoset ajo në krye të shtetit, duke ndjekur shembullin e Britanisë në vitin 2016. Me Macron kjo nuk do të ndodhë, edhe pse kandidati i qendrës e ka bërë të qartë se dëshiron të bëjë disa ndryshime, të cilat do ta forcojnë edhe më shumë bllokun europian.

Macron është për forcimin e kufijve të BE-së, ama konsideron se politikat e rrepta franceze të sigurisë i kanë shënjestruar padrejtësisht myslimanët. “Asnjë fe nuk është problem në Francën e ditëve tona”, pati deklaruar gjatë një mitingu elektoral tetorin e vitit të kaluar.

Kontrolli mbi emigracionin – sipas tij, – nuk duhet menaxhuar në nivel kombëtar. Në thelb, favoriti për Pallatin “Elize” është proemigrantëve dhe proglobalizimit.

Marine Le Pen, nga ana tjetër, premton dorë të fortë në raport me emigracionin. “Franca duhet të mbetet Francë”, është motoja e udhëheqëses së ekstremit të djathtë. Lupa negative e saj për myslimanët përfshin ndalimin e simboleve fetare në të gjitha vendet publike, pa përjashtuar perçen.

Ndër zotimet e tjera të kandidates populiste është edhe ai që parashikon të mos i garantohen shërbimet shëndetësore bazë të huajve pa dokumente të rregullta qëndrimi. Kodet antimyslimane vazhdojnë të përshkojnë fjalimet e 48-vjeçares dhe shumë francezë përcjellin nëpër anketa bindjen se partia e saj paraqet një kërcënim për demokracinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme