Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka aprovuar raportin e shpenzimeve për tre muajt e kaluar dhe planifikimin buxhetor për tre muajt e ardhshëm për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Gjatë raportimit, përfaqësuesit e televizionit publik, janë përballur me vërejtje të shumta për tejkalimin e shpenzimeve në disa kategori.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa , Naser Osmani, ka kërkuar sqarim pse janë tejkaluar shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve.
“Është dashur vetëm me u përqendrua në tejkalimin e shpenzimeve të mallrave dhe shërbimeve. Sqaroju këtë deputetëve para se këta me marrë fjalën. Keni tejkalim në mallra dhe shërbime . Të gjitha tejkalimet të gjitha pozicionet e mallrave e shërbimeve, tejkalimet i ke te kontrata për shërbime programore .”, tha Osmani.
Halil Bajramaj, nga departamenti i financave të RTK-së, i ka arsyetuar tejkalimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve duke thënë se një pjesë e tyre janë paguar për TVSH-në.
“Është paraparë edhe në raport ka tejkalime prej 27.89 përqind ., mallra dhe shërbime. Nëse e shikojmë specifikacionin mallra dhe shërbime , tejkalim ka te pjesa e TVSH-së në pikën 80 , 480 në kodin buxhetor, ku përfshinë 23 përqind të shpenzimeve të përgjithshme . Këtë në bazë të rekomandimeve të jashtëm dhe në bazë të ligjit të ri për faljen e borxheve publike na u është dashur me shtyrë këtë borxh në emër të kërkesave të TVSH-së prej Administratës Tatimore, për këtë arsye ne e kemi arsyetuar këtë me revizionimin e TVSH-së . 20 përqind është e kësaj”, tha Bajramaj.
Shqipe Pantina, anëtare e komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa , ka kërkuar sqarime se mbi bazën e cilës rregullore janë tejkaluar shpenzimet.
Tek shpenzimet çështja është se ne kemi një raport shumë të thatë si zakonisht .Nuk ka asnjë ndryshim i cili paraqet numra por nuk ka asnjë shpjegim , as pse janë bërë tejkalimet, mbi çfarë vendimi dhe është një rregull nëpër institucionet tjera nuk e di nëse të njëjtën rregull e keni ju që çdo tejkalim mbi 10 për qind duhet me marrë pëlqimin e atij që e miraton buxhetin e në këtë rast do të duhej të merrej pëlqimin e Komisionit tonë. Nuk e di çfarë rregulle keni ju, apo vendosni vet a vendos menaxhimet a vendos bordi për tejkalimet e shpenzimeve . Po duhet të ketë një rregull. Edhe kush i ka miratuar këto shpenzime “, tha Pantina.
Ajo po ashtu ka kërkuar edhe sqarim për shumën e kërkuar mbi 100 mijë euro për sigurimet shëndetësore të punëtoreve të RTK-së. Pantina ka ngritur pyetje edhe rreth shpenzimeve të parave për telefona.
Ndërsa kryetari i bordit të RTK-së, Ismet Bexheti, ka thënë se mjetet për sigurime shëndetësore nuk janë shpenzuar pasi në korrik pritet të bëhet sigurimi i përgjithshëm shëndetësor.
“Një pjese të tyre i kemi diskutuar në bord dhe për çdo hamendshim ne kemi angazhuar mekanizmat tonë të brendshme prej njësisë së auditimit edhe kërkesat të drejtpërdrejta për informacione dhe presim në mbledhjen e ardhshme që sigurisht që janë të detyruar për me na e sjell… Sa i përket sigurimit shëndetësor është e vërtet që sigurimi shëndetësor figuron me planin e shpenzimeve për 3 mujorin e parë , por ky plan ka qenë më herët se sa është marrë vendimi që të mos shfrytëzohet meqë se në korrik do të filloj sigurimi i përgjithshëm shëndetësor në nivel Kosove , këto mjetet janë të mbetura nuk janë të shpenzuara diku tjetërkund…. Një sqarim në mënyrën me çfarë rregullore veprojmë , aktet të ndryshme tona meqë neve me një të posaçëm dhe jemi specifik edhe kemi të bëjmë me vepra audio vizuale në këtë rast të pasurive të tilla të pa preks hme që janë autoriale e që janë vlerë.”, tha Bexheti.
Ndërsa, deputetja, Labinotë Demi Murtezi, ka kërkuar sqarim pse në vazhdimësi kanë grumbull të emisioneve me një çmim të përbashkët.
Po ashtu ajo kërkoi nga përfaqësuesit e RTK –së që të ju sjellin listat e punëtoreve për të cilën kryetari i bordit ka thënë se i kanë sjellë kurdo që u është kërkuar.
Edhe Besa Gaxheri, anëtare e këtij komisioni ka kërkuar sqarime pse ka më pak shpenzime te kategoria e pagave.
Ajo ka kërkuar të dijë se pse bëhet transmetimi përmes Digit alb pasi që për dy vite ndahen mjetet për satelit.
Në anën tjetër, kryetari i bordit të RTK-së, Ismet Bexheti ka thënë se nga 1 prilli i këtij viti RTK-ja transmetohen përmes Digitalbit.
Ndërsa Enver Hoti, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka kërkuar të di se pse nuk është ngritur komision hetimor parlamentar .
“Publikisht mund ta themi që këtë pengesë e bëjnë të dy partitë që janë në pushtet”, tha Hoti.
Ndryshe, të hyrat kryesore të RTK-së për periudhën raportuese janar –mars 2017-të , kanë qenë nga buxheti i Kosovës që përbëjnë 88.88 përqind të të hyrave të përgjithshme të RTK-së. Të hyrat nga marketingu kanë 10.11 përqind të të hyrave të gjithmbarshme, ndërsa 1.01 përqind janë të hyrat tjera. RTK për periudhën raportuese janar-mars 2017-të ka paraparë të hyra në shumën prej 3 milion e 325 mijë euro ku për këtë periudhë raportuese ka realizuar të hyra në shumë prej 3 mijë e 93 e 982 euro , pra 231 mijë e 18 euro më pak. RTK për periudhën raportuese janar –mars 2017-të ka paraparë shpenzime në shumë prej 3 milion e 325 mijë euro, ku për këtë periudhë ka shpenzuar në shumë prej 3 milion 29 mijë euro, pra 295 mijë e 697 euro më pak.
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë