Google ADS

Zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi Hanin e Elezit dhe biznese të kësaj komune

13:51 | 25 Prill 2017
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi komunën e Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari, Rufki Suma me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për shumë çështje, por në veçanti për çështjen e pronave të APJ-së, të cilat tani janë bërë pronë shtetërore.

Kelmendi shprehu kënaqësinë që po viziton këtë komunë, e cila udhëhiqet nga një kryetar i pavarur.

Pas takimit me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, zëvendëskryeministri Kelmendi u takua edhe me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, me të cilët bisedoi për çështjen e furnizimit me energji elektrike, fiskalizimin e bizneseve, si dhe për Pakon Fiskale 2, e cila shumë shpejt do të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe do të jetë një rilindje për bizneset në përgjithësi dhe ekonominë prodhuese në veçanti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, njoftoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për të gjitha punët dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo komunë, si dhe për aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë kohëve të fundit.

Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi Fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharrcem” dhe Fabrikën e Stiroporit “KOSOVAPLAST-B”, në të cilat u njoftua nga afër me punët dhe aktivitetet që po zhvillojnë këto kompani.

Zëvendëskryeministri Kelmendi me këtë rast shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ofrojë përkrahje për të gjitha bizneset prodhuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme