Mustafa po ‘manovron’ në Bruksel për të qëndruar në pushtet

15:44 | 25 Prill 2017
Arbresh.info

 

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është takuar sot në Bruksel me Komisionerin për Migracion të BE-së, Dimitris Avramopulos, i cili ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit kosovar që sa më shpejt të votohet Demarkacioni, që Kosova të mund të plotësojë kushtin për liberalizim të vizave.

Në një deklaratë për media, thuhet se në bisedën mes Mustafës dhe Avramopulos-it, askund nuk përmendet mundësia e suspendimit të Demarkacionit, ashtu siç shpresonte kryeministri Mustafa, para udhëtimit për në Bruksel.

Gëzim Dushi nga Ministria e Integrimeve Evropiane në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke zhvilluar dialogun politik me institucionet e BE-së, dhe sipas tij në këtë drejtim duhet parë edhe iniciativën e Mustafës.

“Kriteri i demarkacionit është vendosur qysh në vitin 2012 në fillim të procesit të liberalizimit të vizave, në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, për çka ne jemi pajtuar me këtë udhërrëfyes dhe si i tillë duhet të përmbushet. Qeveria dhe Kuvendi janë dukë bërë koordinimin e nevojshëm që procesi i liberalizimit të vizave, respektivisht çështja e demarkacionit të përfundoj sa më parë, në mënyrën më të mirë të mundshme që Kosova të mos vazhdoj të mbetet e bllokuar”.

Sipas tij pas përfundimit të demarkacionit dhe konfirmimit të progresit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni Evropian do t’i propozoj Këshillit dhe Parlamentit për miratim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke zhvilluar dialogun politik me institucionet e BE-së, dhe në këtë drejtim duhet parë edhe iniciativën e kryeministrit Mustafa rreth kriterit të demarkacionit”, deklaroi ai.

Ndërsa Blerta Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se mbetët të shihet se si do të pritet nga BE ajo që ka nisur Isa Mustafa.

“Paralajmërimi i kryeministrit Mustafa për heqje të vizave duke e zhvendosur afatin kohor të përmbushjes së njërit prej dy kritereve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave, që është ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet të shihet se si do të pritet nga institucionet e BE-së. Është përgjegjësi e Qeverisë që ta procedoj në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin dhe Kuvendi përkatësisht deputetët të shprehin vullnetin e tyre lidhur me këtë, dhe jo të mendohet për një zgjidhje ‘kreative’ të kësaj çështje”, ka thënë ajo.

Sipas saj është momenti i fundit që klasa politike të kryej këtë proces.

“Janë të qarta deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve më të lartë të Brukselit që Kosova duhet ta përmbush këtë kriter para se të nis lëvizja pa viza e qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen. Tani është momenti i fundit që spektri politik në Kosovë të gjej një zgjidhje lidhur me këtë në mënyrë që ky proces të mos prolongohet pafundësisht”, theksoi ajo.

Analisti Imer Mushkolaj  thotë se Mustafa po mundohet të qëndrojë në pushtet duke ndërmarrë një hap të tillë.

“Kryeministri Isa Mustafa po e bën përpjekjen e fundit për të qëndruar edhe për një vit në postin e kryeministrit, duke manovruar me vizitën në Bruksel, edhe pse e di se BE nuk do të pranojë propozimin e tij. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë sa i përket çështjes së demarkacionit. Mustafa dhe partneri i tij i koalicionit është dashur të punojnë që demarkacioni të zgjidhet, e jo tash, shumë vonë, të kërkojë nga Brukseli lëshime të tilla”, ka thënë Mushkolaj për Arbresh.info./V.Berisha/Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme