Marrëveshja që përcakton kufirin me Malin e Zi, e cila po flitet që këtë javë të përcillet nga ekzekutivi në Kuvendin e Kosovës, prapë do të kundërshtohet nga tri partitë opozitare. Ndonëse ende nuk janë bërë të ditura saktësisht format e përbashkëta se si do të kundërshtohet, duket se skenat e gazit lotsjellës brenda institucionit më të lartë ligjvënës nuk do të përsëriten.
Në një prononcim për portalin Arbresh.info Shkodran Hoti nga Sekretariati për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje ka thënë se kundërshtimi i demarkacioni është e vetmja mënyrë që të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës.
“Në asnjë mënyrë nuk lejojmë që Kosova të humbas as edhe një metër katror territor. Ne mendojmë që marrëveshja për demarkacionin është e vdekur, dhe si e tillë, në asnjë rast nuk guxon të kthehet në Kuvend. Në lidhje me kundërshtimin tonë, nuk pritet të ketë diçka ekskluzive. Janë metodat që ne në vazhdimësi e shprehim kundërshtinë tonë. Nuk e konsiderojmë shumë të rëndësishëm diskutimin mbi përdorimin e gazit. Për ne është domosdoshmëri ndalja e kësaj marrëveshje sepse është në pyetje Republika e Kosovës, integriteti territorial i saj, e ardhmja e saj. Ne fillimisht bëjmë thirrje që Qeveria të heq dorë nga arroganca e kryeneçësia dhe të mos e sjellë në Kuvend ketë marrëveshje. Nëse kjo ndodh, do t’i gjejmë mënyrat me efektive për ta ndaluar”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, kushti kryesor për liberalizimin e vizave, jo vetëm në Kosovë, është lufta ndaj krimit e korrupsionit.
“Ne e dimë që pushtetarët premtimin për viza e bëjnë për më shumë se pesë vite, dhe gjatë gjithë kësaj kohe raportet ndërkombëtare flasin për mos luftimin e krimit dhe korrupsionit nga qeveritë tona, dhe kjo është më herët se demarkacioni me Malin e Zi të ngritej si çështje. Nga ana tjetër, kushti i demarkacionit është sa i pakuptimtë, edhe i padrejtë, ngase ky kusht nuk është vendosur për shtetet e tjera, e këtu as për Malin e Zi”, theksoi ai.
Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për Arbresh.info se AAK bashkë me qytetarët do të angazhohet që kjo formë e demarkacionit të mos marrë votën pro dhe sipas tij të kthehet në pikën zero.
“Demarkacioni është i mirë vetëm për të “shpëtuar lëkurën” Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit e koalicionit, por për Kosovën dhe territorin e saj aspak. Kjo formë e demarkimit, vendit tonë ia rrezikon territorin me humbjen e mbi 8000 hektarëve tokë dhe duke qenë kështu do të jemi në Kuvend e në çdo vend tjetër ku është nevoja që të pamundësojmë kontrabandimin e kësaj marrëveshje. AAK bashkë me qytetarët do të angazhohet që kjo formë e demarkacionit të mos marrë votën pro dhe e njëjta të kthehet në pikën zero. Ne jemi të njëjtit në ketë drejtim dhe për ketë çështje, prandaj, kemi dhënë betimin e janë parimet ato që na bëjnë të qëndrojmë në ballë të kundërshtimit për ketë marrëveshje që e cenon integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Lekajt është padrejtësi që qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos e kenë mundësinë të lëvizin lirshëm nëpër zonën Shengen.
“Kualiteti i dobët i qeverisjes në vend ka bërë që tani të dalin edhe kushte të tilla krejt absurde që nuk i ka pasur asnjë shtet me herët. Por në realitet forcimi i shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor, pra lufta ndaj dukurive që po e gërryejnë për brenda vendin tonë janë kushte jetike që Kosova të marrë të drejtën për liberalizim të vizave dhe jo vetëm këtë proces por edhe të tjera”, thotë ai.
Ndërsa Valdete Bajrami nga NISMA ka thënë se edhe kjo parti do ta kundërshtoj demarkacionin ashtu siç kanë filluar me mocionin kundër Qeverisë.
“Çështja e punës së demarkacionit prej 1 shtatorit të vitit të kaluar është ngel peng nga z.Mustafa, kjo për faktin se e kishte mundësinë që ta vendoste në votim po atë ditë, mirëpo ai e tërhoqi. Kjo e dëshmoi se ky njeri ka dështuar dhe nuk ka qenë i aftë t’i mbrojë interesat e shtetit sepse nënshkroi marrëveshje e cila po e rrezikon territorin e vendit tonë. Kundërshtimin tonë do ta vazhdojmë dhe ashtu siç tashmë jeni në dijeni ne e kemi nisur iniciativën për rrëzim të kësaj qeverie pikërisht për dështimet e vazhdueshme që kjo përbërje e koalicionit ia kanë sjellur vendit dhe qytetareve”, ka thënë ajo për Arbresh.info.
Sipas Bajramit me këtë qeveri nuk do të këtë liberalizim, as punësime të reja.
“Nuk do të ketë as zhvillim ekonomik, as mirëqenie më të mirë për qytetarët, as arsim cilësor, as luftim të korrupsionit që do të thotë se sa ma parë që këta të bien aq më shpejtë do të jetë e mundur që qytetarët të kenë mundësinë që tash të vendosin për ndryshim”, shtoi ajo./V.Berisha/Arbresh.info
Erza Muminoviq e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos U...
Rama: Nëntori i festave vjen me ngjyrat kuqezi në shkollat t...
Rumania kundërshtari ‘problematik’ i “Dard...
Haradinaj premton: Paga mesatare në shëndetësi do të jetë 1 ...
Futbollistët “Dardan” që lanë gjurmë në ekipet e tyre muajin...
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikis...