Han: Deklaratat për ndryshim të kufijve janë kundërproduktive

18:27 | 24 Prill 2017
Arbresh.info

Eurokomisari për negociata për zgjerim Johanes Han, sot deklaroi se është i shqetësuar nga deklaratat e disa liderëve politik në Ballkan të cilët sipas tij mund të konsiderojnë për përzierje në vendet fqinje.

Ai pas takimit që e kishte me zëvendëskryeministrin serb dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq në Bruksel, Han i quajti deklaratat e tilla të papranueshme, të panevojshme dhe kundërproduktive.

“Do të doja që ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta shpreh dëshpërimin dhe shqetësimin tim nga deklaratat e ndezshme të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, të cilat mund të konsiderohen edhe për përzierje në vendet fqinje, që implikon ndryshim të kufijve janë të papranueshme dhe gjithnjë e më shumë të panevojshme dhe kundërproduktive”, porositi eurokomisari Han.

Qëndrimi i tillë i komisarit për negociata për zgjerim i bashkimit Evropian u dedikohet deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, se pa ardhmëri të qartë në Bashkimin Evropian, këto dy shtete të Ballkanit do të mund të bashkohen në një vend./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme