Panairi i Librit pati rreth 40 mijë vizitorë

17:22 | 7 Qershor 2015
Arbresh.info

Edhe në orët e fundit kur po mbyllej Panairi i 17-të i Librit në Prishtinë, tendat me tituj të ndryshëm ishin përplot vizitorë. Sipas organizatorit, Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK), për këto pesë ditë, Panairi pati rreth 40 mijë vizitorë.

Libri më i kërkuar e më i shitur doli të jetë “Ambasadori i Melkizedekut” i Veton Surroit, kurse shkrimtar i vitit u shpall Roland Gjoza.

Në një konferencë për media, sot pasdite, SHBK, bëri të ditur se prania e librit në këtë Panair ka qenë rreth 5 mijë tituj.

Kryetari i Shoqatës, Daut Demaku tha se numri i vizitorëve në këtë panair ka tejkaluar pritshmërinë që kishin organizatorët, shkruan kosovapress.

Demaku bëri të ditur se çmime në këtë panair kanë marrë: Xhevdet Bajraj për poezi, Rexhep Murtez Shala – roman. ndërsa për studime, publicistikë, eseistikë çmimin e mori Blendi Feziu. Për letërsi për fëmijë u shpërblye Arif Demolli dhe për përkthim Jorgji Doksani dhe Anila Xhekaliu.

Shkrimtari shqiptar i vitit është shpallur Roland Gjoza, kurse i huaj nobelisti i fundit Patrik Modiano.

Ndërkaq, te librat me të kërkuar shqiptarë, radhiten ata të Veton Surroit, Bardhyl Mahmutit, Ismail Kadaresë, Blendi Feziut dhe Albatros Rexhajt.

Këto të dhëna i paraqiti nënkryetari i Shoqatës Besjan Zeneli, duke e veçuar librin e Surroit, “Ambasadori i Melkizedekut”, si më të shiturin e edicionit të 17-të të Panairit të Prishtinës.

Në mbylljen e panairit i pranishëm ishte edhe shkrimtari Leonard Vejzi nga Shqipëria.

Ai bëri një krahasim mes panairit të Tiranës dhe Të Prishtinës, ku për këtë të fundit tha se e hoqi shijen e keqe që la ai i Tiranës.

Në panairin e 17-të të Librit në Prishtinë, u shënuan edhe përvjetorë të shumtë në respektim të traditës letrare shqiptare e botërore, si 150 vjetori I lindjes së Zef Skiroit, 100 vjeotri I lindjes së Dhimitër S.Shuteriqit, 100 vjetori I lindjes së Roland Bartit, 100 vjetori i lindjes së Artur Milerit, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.
Panairi i 17-të I Librit në Prishtinë u hap me 2 qershor dhe u mbyll sot në orët e pasdites./KP/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme