Restoranti që ka “uzurpuar” pronën e Qeverisë së Kosovës

13:10 | 24 Prill 2017
Arbresh.info

Restorant “Pëllumbi”, është duke shfrytëzuar pronën e Institutit Hidrometrologjik të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që nga paslufta dhe po konsiderohet nga kjo ministri se është uzurpuar nga pronari i këtij restoranti, Afrim Fushtica, ngase nuk ka marrëveshje ose kontratë për shfrytëzim që prej vitit 2010 e deri më sot.

Po ashtu, pronari në fjalë i ka mbetur borxh Ministrisë së MPH-së mbi 40 mijë euro për mos kryerjen e të gjitha obligimeve për qira që prej vitit 2000 deri në janar të vitit 2010, ku për këtë periudhë dhjetë vjeçare “Pëllumbi”, e ka shfrytëzu me tri kontrata për qira të ripërtërira ndërmjet pronarit të restorantit dhe të Ministrisë së MPH-së.

Ky borxh dhe status është përcaktuar me një vendim të shkallës së parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në gusht të vitit 2015 të iniciuar nga Ministria e Mjedisit. Mirëpo, tash e tri vjet ende nuk është nxjerr një vendim i prerë nga Gjykata e Apelit në bazë të procedurës ankimore që ka bërë pronari Fushtica ndaj vendimit të shkallës së parë.

Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministri të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Luan Sabedinaj, për KosovaPress thotë se që nga janari i vitit 2010, kur ka skaduar afati i kontratës për shfrytëzim, edhe përkundër kërkesave të MMPH-së, ish kontraktori nuk e ka liruar objektin dhe hapësirën e Institutit që është në kuadër të MMPH-së dhe pa asnjë bazë ligjore e shfrytëzon objektin dhe hapësirën edhe tani.

Ai tha se pas auditimit, MMPH-ja ka vu kontakte me qiramarrësin për kryerjen e obligimeve dhe pas takimeve dhe shkresave të shumta është arrit që Afrim Fushtica të filloi pagesën e borxheve të mbeturave për vitin 2009.

Për këtë periudhë, sipas tij, qiramarrësi ka realizuar një pagesë, por më pas nuk i është përmbajtur afateve të përcaktuara për shlyerjen e obligimeve. Më pas menaxhmenti i MMPH-së i ka kërkuar që përveç shlyerjes së obligimeve në afat prej 30 ditësh duhet të lirohet edhe objekti për shkak të nevojave dhe kërkesave të vazhdueshme nga Instituti Hidrometrologjik i Kosovës.

Kjo nuk ka ndodhur dhe sipas Sabedinajt, MMPH-së është detyruar që përmes divizionit për përfaqësim gjyqësor pranë Ministrisë së Drejtësisë, tani të avokaturës shtetërore të inicioji padi pranë gjykatës kompetente për shlyerjen e obligimeve dhe lirimin e objektit. Pas periudhës së vitit 2010, Sabedinaj e konsideron Fushticën si uzurpator.

 

“Zotriu ose subjekti nga viti 2000 e ka shfrytëzuar në bazë të kontratës, prej janarit të vitit 2010, shfrytëzon objektin dhe hapësirën pa asnjë bazë ligjore, nuk ka kontratë. Kjo është e përcaktuar edhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sa i përket borxheve ju thash një pjesë është shlyer, por ende është një vlerë e konsiderueshme e borxhit gjë që e ka përcaktuar edhe Gjykata Themelore në akt gjykimin e saj. Borxhi i cili është përcaktuar nga gjykata është një borxh i cili është marrë parasysh përveç vlerës, kamatës dhe pamundësisë së shfrytëzimit të objektit arrin diku mbi 43 mijë euro”, thotë Sabedinaj.

Ndërkohë, pronari i restorantit “Pëllumbi”, kërkon kompensimin mbi investimet në këtë objekt por Sabedinaj thotë se kjo nuk ka qenë e paraparë me kontratë, të cilën nuk e ka përcaktuar as gjykata në shkallën e parë.

 

“Sa i përket kompensimit mbi investimin që është bërë në atë objekt nuk ka qenë e përcaktuar me kontratë gjë që është përcaktuar edhe nga ana e gjykatës. Faktikisht duhet të presim aktgjykimin e Gjykatës, por në gjykimin e shkallës së parë ky investim nuk ka qenë pjesë e kontratës por edhe nuk përmendet në aktgjykimin e Gjykatës të shkallës së parë…. Kemi një vendim, por nuk është i plotfuqishëm për shkak se subjekti ka shfrytëzuar të drejtën e vet ligjore, të drejtën e ankesës”, thotë Sabedinaj.

Edhe përkundër që z. Fushtica shfrytëzon restorantin pa kontratë tashë e shtatë vite, avokati i Afrim Fushticës, Muhamet Shala thotë se Afrimi nuk është uzurpator.

 

“Nuk qëndron fakti se pronari i saj Afrim Fushtica e ka uzurpuar atë pronë, ngase ai në vitin 2000 e ka të lidhur një kontratë me Entin Hidrometrologjik të Kosovës ku janë paraparë të gjitha kushtet e shfrytëzimit të saj. E njëjta kontratë pastaj është përtërirë në vitin 2006 dhe në vitin 2007. Pra, nëse ekziston vetëm një kontratë ekziston, një bazë juridike për shfrytëzimin e asaj prone dhe eliminohet çdo pretendim për uzurpim… në rastin konkret ai i ka të gjitha dhe e shfrytëzon në mënyrë legjitime mbi bazën e kësaj kontrate. Veç kësaj Afrim Fushtica në cilësinë pronarit të restorant “Pellumbi” ka bërë investime të mëdha në atë lokal. Të cilat investime në bazë të llogarisë së tij dhe faturave të cilat ai i disponon janë në shumën mbi 112 mijë euro”, thotë avokati Shala.

Avokati thotë se pjesa më e madhe e borxheve është paguar dhe pranon se ekziston një borxh i mbetur nga Fushtica, por, sipas tij, me Ligjin për Faljen e Borxheve Publike deri në vitin 2008, duhet t’i falet Fushticës borxhet.

Sipas avokatit Shala, nëse i pranohen nga gjykata investimet e bëra atëherë, Afrim Fushtica jo vetëm që nuk ka borxh, por ndoshta do të ketë edhe parapagim në mënyrë që kërkesa e tij është që të vazhdojë në kontinuitet derisa të arrihet afati i përmbushjes së obligimeve, i cili përkon me investimet e bëra.

Ai shtoi se klienti i tij ka pasur mendime ta lirojë objektin, mirëpo nuk ka arritur një marrëveshje me qiradhënësin, në këtë rast me MMPH-në.

 

“Klienti im Afrim Fushtica ka pasur mendime që ta liroj objektin, mirëpo nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje me qira-dhënësin nga pikëpamja e investimeve të bëra dhe këtu qëndron ajo. Nëse gjykata me verdiktin e tij e vërteton këtë fakt, qoftë të pranimit ose mospranimit zgjidhet çështja e kontestit dhe çdo gjë rregullohet… Asnjëherë ai(Afrim Fushtica) nuk ka pasur pretendim që ai objekt është i tij, ose qëllime tjera ”, thotë avokati Shala.

Avokati ka thënë se për shkak të deklarimeve të pa matura nga idivid të caktuar, atij restoranti edhe i është ulë imazhi i frekuentimit të klientëve. Sipas Shalës, që në fillim menjëherë pas luftës së fundit të Kosovës, ai restorant ka qenë restoranti më i frekuentuar në territorin e Kosovës.

Pronarin e restorantit e ka kontaktuar KosovaPress, por i njëjti ka thënë se për këtë çështje e ka angazhuar avokatin e tij.

Fushtica nuk ka lejuar të merren pamje me kamerë brenda objektit dhe hapësirës.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të MMPH-së, kontrata është lidhur me dt. 25 gusht 2000 për afatin kohor prej pesë vjet me qira mujore 1 mijë marka ose 511 euro, ku janë të përcaktuara edhe kushtet e saj, kurse, kontrata ka hyrë në fuqi më 10 shtator 2000.

Pastaj janë ripërtërirë edhe dy kontrata tjera në vazhdimësi për shfrytëzim deri në janar të 2010-ës.

Sipërfaqja e kontraktuar ka qenë 2,393.35 m2, ku ka qenë e përfshirë edhe objekti me sipërfaqe prej 218 m2.

Instituti Hidrometrologjik të Kosovës është në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor(MMPH), përkatësisht Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës dhe kryeshef i këtij Agjencioni është Ilir Morina.

rest-pllumbi-24041725

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme