Google ADS

Qosja shpreson që SHBA dhe BE do ta lirojnë Kuvendin prej kushtëzimit jodemokratik

15:17 | 23 Prill 2017
Arbresh.info

Akademik Rexhe Qosja, duke komentuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së që për formimin e Ushtrisë së Kosovës të vendoset jo me numrin e votave të deputetëve, por me pajtimin e të gjitha grupeve etnike të Kosovës, ka thënë se shpreson që SHBA-të dhe BE-ja, në pajtim me Kushtetutat e tyre, do ta lirojnë Kuvendin e Kosovës prej këtij kushtëzimi jodemokratik, që për fatin e Ushtrisë tonë të mund të vendosin deputetët serb.

Ai në një opinionin të postuar në facebook, ka shkruar se kërkesat e SHBA-së dhe BE-së që në Kuvendin e Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës me pajtimin e pashmangshëm të grupit të deputetëve serbë, është në kundërshtim me parimet demokratike, me standardet demokratike dhe me etikën demokratike amerikane dhe evropiane.

Qosja ka shtuar edhe lidhur me kërcënimin e prijësve politikë, shtetërorë e fetarë serbë se bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do ta pengojë Serbia me luftë, duke thënë se është rikthim tragjik i asaj ideologjie politike me të cilën klasa politike dhe intelektuale serbe i ka sjellë shumë tragjedi Ballkanit gjatë historisë.

Ja opinioni i plotë i Qosjes:

DY PËRGJIGJE QË DUHET TË JAPË SHTETI I KOSOVËS

Përgjigjja e parë

Me politikën e saj, me sjelljet e saj, me deklarimet e saj udhëheqja politike e shtetërore e Kosovës dhe populli shqiptar i Kosovës e kanë dëshmuar përkushtimin e sotëm dhe përkushtimin e ardhshëm, që mund ta quajmë historik, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian.

Në këtë përkushtim janë të përmbajtura mendimet dhe ndjenjat e gjithë shqiptarëve kudoqofshin ata sidomos ndaj SHBA-ve.

SHBA-të dhe shtetet më të mëdha të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur e sovran. Me njohjen e këtillë, si shtet i pavarur dhe sovran, ato, SHBA-të dhe BE-ja, ia kanë njohur Kosovës të drejtën që, përpos të tjerash, të krijojë edhe Ushtrinë e saj, në këtë mes ia kanë njohur të drejtën që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta shëndërrojë, ta rrisë, në Ushtri të Kosovës me të gjitha institucionet përkatëse, duke u bërë ushtri që mbron sigurinë, tërësinë territoriale dhe rendin politik e shtetëror të Kosovës. Duke e njohur kështu shtet të pavarur dhe sovran, ato, SHBA-të dhe BE-ja, (e me to edhe NATO-ja) objektivisht ia kanë njohur Kosovës të drejtën që Ushtrinë e saj ta themelojë si të dojë vetë: me ligj apo me ndryshime në Kushtetutën e saj. Me njohjen e kësaj të drejte të Kosovës, ato, SHBA-ja dhe BE-ja, realisht ia kanë njohur Kuvendit të Kosovës të drejtën që me shumicën e votave të depute tëve të tij të vendosë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Për këtë arsye kërkesat e SHBA-së dhe BE-së që në Kuvendin e Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës të vendoset jo me numrin e votave të deputetëve, por me pajtimin e të gjitha grupeve etnike të Kosovës, e kjo domethënë edhe me pajtimin e pashmangshëm të grupit të deputetëve serbë, është në kundërshtim me parimet demokratike, me standardet demokratike dhe me etikën demokratike amerikane dhe evropiane.

Dua të shpresoj se SHBA-të dhe BE-ja, në pajtim me Kushtetutat e tyre me rëndësi historike për zhvillimin e demokracisë në botë, do ta lirojnë Kuvendin e Kosovës prej këtij kushtëzimi jodemokratik, që për fatin e Ushtrisë kosovare të mund të vendosë grupi i deputetëve të një bashkësie etnike – të serbëve të Kosovës.

Përgjigjja e dytë

Kërcënimet që udhëheqësit politikë, shtetërorë dhe fetarë të Serbisë po bëjnë ndaj idesë së bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës ende s’kanë marrë përgjigjen e nevojshme të institucioneve shtetërore të Kosovës!

Kjo përgjigje është e nevojshme jo vetëm për shkak të bisedimeve që do të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për shkak të informimit të opinionit ndërkombëtar për mosmarrëveshjet më afatgjata mes këtyre dy shteteve.

Sipas mendimit tim, udhëheqjeve politike, shtetërore dhe fetare të Serbisë duhet t’u jipet kjo përgjigje: Kosova është shtet, shtet i pavarur dhe sovran, i njohur prej 113 vendeve, mes të cilave edhe prej SHBA-ve dhe prej shteteve kryesore të Be-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë. E të tjerave. Dhe, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të ligjshme të vendosë vetë për fatin e vet të përtashëm dhe historik, prandaj edhe të bashkohet me Shqipërinë, me shtetin prej të cilit me dhunë e kanë ndarë disa shtete ballkanike dhe evropiane, mes të cilave Serbia ka pasur rolin më armiqësor, prandaj më dëmtues, ndaj popullit shqiptar në përgjithësi.

Kërcënimi i prijësve politikë, shtetërorë e fetarë serbë se bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do ta pengojë Serbia me luftë, është rikthim tragjik i asaj ideologjie politike me të cilën klasa politike dhe intelektuale serbe i ka sjellë shumë tragjedi Ballkanit gjatë historisë, dhe së fundi gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste. Udhëheqja politike, shtetërore dhe fetare serbe duhet ta ketë të qartë se në botën e sotme, se në Ballkanin e sotëm, se në fatin e shqiptarëve, janë bërë shumë ndryshime, të cilat s’mund të kthehen më mbrapa. Ndryshimet e bëra historike në Ballkan, në Evropë e në Botë, ideologjinë e përshtrirjeve serbe e kanë rrëgjuar përfundimisht: Serbia është gjetur në statusin modest që realisht është dashur ta ketë dhe e ka në Ballkan. Ajo, prandaj, s’mund të ndikojë në asnjë pikëpamje dhe me asgjë në vullnetin politik të popullit shqiptar.

Duam të shpresojmë se Serbia, për hir të mirëqenies së vet dhe për hir të paqes në rajon, do të heqë dorë përgjithmonë prej mitologjisë së saj të trashëguar politike. Është në të mirën e saj dhe në të mirën e gjithë rajonit, prandaj edhe të Evropës, që udhëheqja politike, shtetërore dhe fetare serbe të harrojë çka duhet të harrojë dhe të mësojë çka duhet të mësojë nga historia dhe nga e sotmja.

Pse udhëheqja politike dhe shtetërore e Kosovës nuk iu përgjigj ende kërcënimeve të udhëheqjes politike, shtetërore dhe fetare të Serbisë ndaj idesë së bashkimit të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën?

Nuk dua të provoj ta shpjegoj këtë mospërgjigje të saj. Le ta shpjegojnë lexuesit ashtu siç ua merr mendja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme