VMRO: Populli do ta ndalojë dygjuhësinë

18:37 | 22 Prill 2017
Arbresh.info

VMRO DPMNE ka vazhduar me qëndrimin e saj kundra platformës së partive shqiptare dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev, duke vlerësuar se qytetarët janë shprehur se platforma e Tiranës, mbi të cilën LSD-ja dëshiron të formojë qeveri, nuk do të mund të realizohet.

Nga partia e Nikolla Gruevskit kanë potencuar se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nuk do të mund të vijë në pushtet dhe se Maqedonia nuk do të shndërrohet në shtet binacional. Sipas tyre, populli do të jetë ai i cili do të ndalojë zbatimin e platformës së Tiranës, politikave antimaqedonase dhe ardhjen e Zaev në pushtet përmes Edi Ramës, Ditmir Bushatit dhe Hashim Thaçit, të cilët sipas VMRO-së kontestojnë identitetin maqedonas.

“Qytetarët qartë janë shprehur se platforma e Tiranës, mbi të cilën LSD-ja dëshiron të formojë qeveri, nuk do të mund të realizohet. Populli është kundër ridefinimit dhe ndarjes së Maqedonisë. Populli do ta ndalojë dygjuhësinë, ndryshimin e himnit, flamurit dhe emrit. Populli do ta ndalojë ndryshimin e karakterit multietnik të Maqedonisë dhe shndërrimin e saj në shtet binacional me tendenca federalizmi dhe kantonizimi”, ka theksuar Kërste Jovanovski, nga VMRO-DPMNE, transmeton Alsat-M.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme