Google ADS

Epidemi fruthi në Itali, mbi 1.600 raste të shënuara sivjet

22:59 | 21 Prill 2017
Trina Galanxhi

Një epidemi fruthi po përhapet në Itali me më shumë se 1.600 raste të sëmundjes të raportuara në vitin 2017, në 19 nga 21 rajonet e vendit.

Epidemia shton shqetësimin mes zyrtarëve europianë të shëndetit, të cilët kanë monitoruar epideminë në vazhdim në Rumani, aty ku thuajse 4.800 raste janë raportuar që nga fillimi i vitit 2016. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vend janë regjistruar 21 viktima.

Sipas saj, Italia është një nga dy vendet kryesore në rajonin europian të prekur nga sëmundja, ndërkohë që janë paralajmëruar të gjithë të huajt që synojnë të vizitojnë vendin që të vaksinohen kundër fruthit. Ndërkohë, rekomandimet për udhëtimet në Rumani janë në fuqi që nga viti 2016.

Vendet e kontinentit amerikan janë deklaruar pa fruth në 2016-n.

Rreth 40 për qind e rasteve në Itali janë shtruar në spital, me moshën mesatare të të prekurve 27 vjeç. Rastet më të shumta janë regjistruar te personat mbi 15 vjeç, që do të thotë se bebet dhe fëmijët nuk janë ata që preken, por janë njerëzit që nuk janë vaksinuar kur kanë qenë fëmijë.

Italia në fakt ka regjistruar një rënie të vaksinimit për fruthin çdo vit, që nga ai 2012. Në vitin 2014, në vend u regjistrua një epidemi e madhe me 4.350 persona të infektuar. Nga 1.603 rastet e raportuara këtë vit, 16.88 për qind e tyre janë verifikuar se rezultojnë të pavaksinuar.

Më shumë se 95 për qind e popullatës duhet të vaksinohet për fruthin, në mënyrë që epidemia të ndalohet. Zyrtarët besojnë se rënia e besimit kundrejt vaksinave është nxitur nga një lëvizje antivaksinë në të gjithë Europën, por edhe më shumë vaksina po refuzohet për shkak të frikës për efekte anësore, e ushqyer kjo nga supozimet tashmë të diskredituara të një shkencëtari britanik, sipas të cilit vaksina e fruthit mund të kishte lidhje me shfaqjen e autizmit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme