Google ADS

Mustafa: Do të shpejtohen hapat për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

16:55 | 21 Prill 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi të premten gjatë vizitës që i bëri Aeroportit të Gjakovës, se ky aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit dhe si i tillë nuk duhet të mbahet në pasivitet.

Shefi i ekzekutivit ka vizituar ambientet ku mbahen pajisjet për mirëmbajtjen e pistës dhe pjesës tjetër të aseteve të aeroportit.

“Këto pajisje me vlerë të veçantë është keq që janë jashtë përdorimit. E kemi një pistë të shkëlqyeshme të aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencionet qeveritare, por edhe Komuna, Bordi dhe menaxhmenti i këtij Aeroporti në mënyrë që të gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri.

Në takim, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ministri i FSK-së, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe drejtori i Aviacionit Civil, kryeministri Mustafa u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij.

Mustafa tha se Qeveria që ai drejton do të marrë për obligim që të sigurojë financimin që Bordi, menaxhmenti dhe punonjësit që merren me administratën dhe sigurinë e Aeroportit, të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë.

“Do të bëjmë një studim të fizibilitetit dhe të kërkojmë edhe partneritet ndërkombëtar për këtë studim dhe pastaj të ofrojmë alternativat më të mira për shfrytëzimin e këtyre aseteve dhe për gjenerimin ekonomik edhe për Gjakovën edhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë drejtim do të punohet më shpejt dhe nuk do të lihen asetet e tilla jashtë përdorimit.

Ndërkaq, lidhur me punën që po bëhet për blerjen e helikopterëve, kryeministri Mustafa tha se këto janë projekte, të cilat kanë qenë më parë të ndërlidhura me FSK-në, me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, sepse në ato fusha ka nevojë që të mbulohen nevojat emergjente.

“Ka qenë një komision i cili ka punuar mjaft gjatë. I ka studiuar të gjitha kushtet dhe ne tani e kemi autorizuar që të rrumbullakojmë atë pjesë, të gjejmë adresat ose furnitorët kryesorë, me të cilët ne mund të bëjmë kontraktimin e helikopterëve, duke kaluar fazat ligjore të kësaj. Edhe ky ambient këtu, për të cilin po flasim, është i përshtatshëm edhe për atë njësit të helikopterëve dhe aeroplanë të vegjël, të cilët ne mund t’i kemi nesër si Kosovë, qoftë si aeroplanë qeveritarë, qoftë ata që shfrytëzohen për nevoja komerciale dhe për nevoja tjera”, tha shefi i Qeverisë së Kosovës.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se është biseduar për format dhe mënyrat më të mira të funksionalizimit të Aeroportit e Gjakovës. Lidhur me mundësitë e aktivizimit dhe përdorimit të aeroportit, ajo tha se janë disa forma të cilat bashkërisht janë biseduar dhe për të cilat do të punohet në ditët në vijim.

“Janë mundësi të ndryshme të cilat duhet të dalin gjithashtu nga një dokument i konfirmuar si plan i fizibilitetit. Ne me kryeministrin dhe ministrat u dakorduam që bashkërisht të vijmë me propozimet për partneritet me organizatat zhvillimore ndërkombëtare, të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen e këtij plani”, tha Kusari-Lila.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme