Google ADS

Berat – Zjarr i madh në konvikt, digjen 6 dhoma

22:27 | 20 Prill 2017
Arbresh.info

Një zjarr i papritur ka rënë pasditen e sotme në konviktin e shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.

Zjarri është konstatuar rreth orës 18:45 minuta nga vetë nxënësit dhe kujdestarët. Fatmirësisht në momentin e rënies së zjarrit, konviktorët (djem e vajza), kanë qenë të shpërndarë në mensë e oborr dhe nuk kanë qenë në dhomat e tyre.

Pasi kanë parë flakët e zjarrit në katin e tretë të godinës, ku ndodheshin dhomat e djemve, është njoftuar menjëherë zjarrfikësja e cila ka mundur të lokalizojë flakët dhe të shuajë zjarrin brenda rreth 30-minutave, duke mos lejuar që flakët të përpinin edhe katin e dytë ku ndodheshin dhomat e vajzave.

Burimet e para në vendngjarje bëjnë me dije se, zjarri ka filluar në një nga dhomat e katit të tretë dhe më pas i gjithë kati është përfshirë nga tymi. Dhoma ku ka filluar zjarri është shkrumbuar totalisht, ndërkohë që dëme material si pasojë e djegies ka pasur edhe në 5-dhoma të tjera të këtij kati.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertë të policisë,të cilët po punojnë për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit, që paraprakisht mendohet të jetë shkaktuar nga një karikues që ka qenë në prizë. Në konviktin e shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak” në Berat,janë të akomoduar rreth 150 nxënës (djem e vajza) që vijnë nga zona të ndryshme të qarkut të Beratit por edhe nga qytete të tjera. /shqiptarja.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme