Basha: Të hënën bllokojmë trafikun

21:11 | 20 Prill 2017
Arbresh.info

Opozita e bashkuar me në krye Partinë Demokratike ka vendosur intesifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë, duke nisur nga dita e hënë, kur kanë paralajmëruar bllokimin e trafikut.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se opozita ka qenë dhe është më e bashkuar se kurrë për të qenë në ballë të kësaj lëvizje deri në fitore.

“Duke ruajtur si pishtar, si monument çadrën e lirisë 24 orë në ditë, por duke e shtrirë protestën në mbarë vendin. Ditën e hënë të gjithë shqiptarët bashkohemi mes orën 11:00 dhe 12:00 në bllokimin e trafikut në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Sipas tij, nuk ka zgjedhje fasadë dhe nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve, por ka një gatishmëri për dialog që i shërben zgjidhjes.

“Ne vijmë me kërkesat e shqiptarëve, që përbëhen nga dy pjesë të lidhura. Hapi i parë, qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Hapi i dytë mandati i kësaj qeverie, që ka të bëjë me zbatimin e dekriminalizimit dhe luftën kundër drogës, votim dhe numërim elektronik në zgjedhje”, shtoi Basha.

Basha shtoi se ftesa e opozitës është që së bashku t’i japim fund Republikës së Vjetër dhe të hapim rrugën me një pakt kombëtar.

Kreu i PD-së komentoi edhe vendimin e sotëm të KQZ-së lidhur me kërkesën për shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje. “KQZ duhet ta hedhë atë poshtë, pasi po nuk e hodhët jeni në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe ne do t’ju çojmë për ndjekje penale”, tha Basha, duke iu drejtuar juristëve të KQZ-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme