Garuesit nga Kosova mësojnë kundërshtarët

10:48 | 20 Prill 2017
Arbresh.info

Të mërkurën është hedhur shorti i Evropianit dhe këto janë sfidat e garuesve kosovarë në Kampionatin Evropian të xhudos, që fillon sot dhe zgjat deri të dielën.

Fjolla Kelmendi, në 48 kilogramë, ka kaluar në rrethin e dytë pa luftë, ku do të përballet me izraeliten Shira Rishony, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe Majlinda Kelmendi ka shkuar në rrethin e dytë pa luftë në 52 kilogramë, ku do ta presë fituesen e duelit ndërmjet britanikes Chelsie Giles dhe polakes Karolina Pienkowska.

Në rrethin e dytë pa luftë ka shkuar edhe Distria Krasniqi, në të njëjtën kategori, ndërsa aty do të përballet me fituesen e duelit në mes të hungarezes Bernadett Keliger dhe polakes Agata Perenc.

Në 57 kilogramë, Nora Gjakova do të përballet në rrethin e dytë me polaken Anna Borowska, pasi gjithashtu e kaloi pa luftë rrethin e parë.

Në 70 kilogramë, Loriana Kuka do të ketë punë me boshnjaken Aleksandra Samardzic në rrethin e dytë, pasi atë të parë e kaloi pa luftë.

Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova në 73 kilogramë do të ketë punë në rrethin e parë me çekun Jakub Jecminek.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme