Rreth 60 milionë euro pasuri e përfituar kundërligjshëm është sekuestruar vitin e kaluar

10:43 | 20 Prill 2017
Arbresh.info

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se gjatë vitit 2016 është sekuestruar pasuri e përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 60 milionë euro.

Lumezi ka thënë në një konferencë për media ku ka prezantuar punën e Prokurorit të Shetit për vitin 2016 se nga kjo vlerë e pasurisë së sekuestruar, mbi 1 milionë euro janë konfiskuar, shkruan arbresh.info.

Ai ka shtuar se Prokuroria e Shtetit është e vendosur për t’i hetuar po ashtu të gjitha rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të paraqitura në media apo edhe nga mekanizma të tjerë.

“Jemi vendosur për t’i hetuar të gjitha rastet që pëmenden në të cilat përfshihen zyrtarët publikë. Në këtë drejtim kemi hetuar dhe ngritur aktakuza për herë të parë për ministra në detyrë, ish ministra, deputetë, ish kryetarë komunash, kryetarë gjykatash, sekretarë permanent, mjekë, drejtues të ndërmarrjeve publike, drejtorë komunalë, zyrtarë në gjykata, avokatë, noterë, inspektorë, kryeinspektorë etj”, ka thënë Lumezi.

Sipas tij, gjatë vitit 2016, Prokuroria e Shetit ka zgjedhur 468 kallëzime penale me 1164 persona për vepra penale të korrupsionit.

Lumezi ka shtuar se gjatë vitit të kaluar një prej sukseseve është se Prokuroria e Shetit nuk ka transferuar asnjë lëndë tek EULEX-i dhe po ashtu ka përmendur anëtarësimin në Asociacionin Ndërkombëtarë të Prokurorëve me seli në Holandë./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme