Kosova e pabarabartë në dialogun me Serbinë

10:04 | 20 Prill 2017
M. A.

Shteti i Kosovës nuk ka përfituar nga dialogu me Serbinë. Duke qenë e pabarabartë në këtë proces, vetëm Serbia ka përfituar në aspektin e rregullimit shtetëror të saj të brendshëm, por jo edhe shteti ynë. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se dialogu ka dhënë rezultate pozitive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve. Mirëpo, ndryshe mendojnë analistë e njohës të marrëdhënie ndërkombëtare.

Fatmir Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, për Indeksonline ka thënë se hyrja e Kosovës në dialog, që sipasi tij, à priori dhe formalisht nuk është i barabartë, e bën të pamundur një dialog normal e në bazë të rregullave dhe parimeve të dialogut të pranuara botërisht.

“Kjo shpërfaq papjekurinë politike dhe mungesën e mendësisë shtet-ndërtuese të autoriteteve udhëheqëse të Republikës së Kosovës. Pozita formale e pabarabartë për të mos thënë inferiore, është parakusht që nuk nënvlerësohet dot gjatë parashikimit të rezultatit final të bisedimeve. Gjërat për të cilat diskutohet në dialog, pra aspekti përmbajtjesor i dialogut është një non sens i llojit të vet dhe një precedent mjaft i dëmshëm, madje madje i rrezikshëm për rajonin e më gjerë. Vetë përmbajtja e dialogut vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës, duke ia cenuar asaj komponentin bazë të shtetësisë, e që është sovraniteti dhe pavarësia” ka thënë Arifi.

Arifi ka shtuar se formati i dialogut do duhej të ndryshojë, duke filluar që nga parimi i barazisë së palëve në dialog, e që kjo deri me sot ende nuk ka ndodhur.

“Së pari, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me Serbinë, pa e marrë mbi vete Serbia fajin kolektiv dhe pa kërkuar falje për gjenocidin dhe spastrimin etnik të kryer në Kosovë. Së dyti, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me një entitet e cila palën e dialogut, në këtë rast Kosovën, nuk e njeh si shtet, subjekt të marrëdhënieve të së drejtës ndërkombëtare, madje ç’është më e keqja e konsideron atë si krahinë të saj jugore, të sanksionuar me aktin më të lartë normative të një shteti-kushtetutën” ka deklaruar njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fatmir Arifi.

Edhe analisti dhe njohës i këtyre çështjeve, Mazllum Baraliu, për Indeksonline tha se Kosova është e pabarabartë në procesin e dialogut, kurse Serbia përfituese.

“Marrëveshjet e nënshkruara nuk i kanë tipare ndërkombëtare si dy shtete sovrane që janë Kosova dhe Serbia. Po ashtu, palët nuk janë të barabarta, Kosova është e dëmtuar nga ky proces dhe të gjithë marrëveshjet nuk janë realizuar në plotëni ose nuk janë realizuar fare”

Ai ka shtuar se ky proces është stërzgjatur dhe duhet domosdoshmërish t të rishikohet. Ndërsa, edhe Bashkimi Evropian, duhet të ndryshojë qasje në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa, ndryshe mendon kryeministri, Isa Mustafa. Mustafa, ka vlerësuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën.

Ndryshe, dje janë bërë katër vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosvës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daqiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të mardhënieve mes të dy vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme