Familjarë të dëshmorëve në shënimin e Ditës së dëshmorëve të komunës së Prishtinës kërkuan edhe një herë që të përfundojë rregullimi i varrezave të dëshmorëve, derisa krerët e Komunës së Prishtinës premtuan se do të ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës së varrezave.
Motra e dëshmorit Sokol Sopit, Kosovare Sopi, tha se që 18 vite këto varreza në kryeqendër nuk janë të rregulluara dhe vazhdojnë të mbeten në gjendje të mjerë.
Përveç kësaj, ajo tha se edhe data e vdekjes së vëllait të saj është ndërruar, pasi që ajo tha se vëllai i saj ka ndërruar jetë me 21 prill dhe jo më 20 prill.
“Dëshmor është titull shumë i lartë i fituar dhe tepër njerëzit e rrallë e kanë këtë titull. Ne e kemi pas vëllain e hasretit, ne jemi gjashtë motra, por me u krenua për titullin e dëshmorit në këto ditë të vështira që ne jemi duke i kaluar nuk janë duke na lehtësuar në asnjë pikëpamje neve si familje. Janë duke shkel me dy këmbë në gjak të tyre. Që 18 vite këto varreza në kryeqendër nuk janë të rregulluara, siç po e shihni janë në gjendje të mjerë. Le ata po edhe datën Sokolit të vdekjes e kanë ndërruar, kur ne e dina që Sokoli ka ndërrua jetë me 21 prill jo me 20 bashkë me axhën Isë edhe me Afrimin”, tha ajo.
Motra e dëshmorit Sokol Sopi, Kosovare Sopi, tha se këtë shqetësim e kanë shprehur, por që nuk kanë gjetur përkrahje.
“I kemi shprehur edhe nuk kemi gjet përkrahje në asnjë nivel, as komunal as qendrorë, as presidencial. Nuk kemi gjet përkrahje askund ne si familje”, tha ajo.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se përkulen para varreve të dëshmorëve për të përkujtuar sakrificën e tyre që tash të jetojnë të lirë.
Po ashtu, Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës do të ndihmoj në përmirësimin e infrastrukturës së varrezave. Ai bëri të ditur se gjatë ditës do të prezantojnë projektin për varrezat e Marecit.
“Ne si Komunë e Prishtinës edhe jemi zotuar se do të ndihmojmë në përmirësimin e infrastrukturës te varrezat. Sot do të prezantojmë edhe projektin në varrezat e dëshmorëve në Marec që ka qenë një prej premtimeve se ato kanë qenë në gjendje më të keqe, e kemi rrethuar dhe sot do të prezantojmë edhe projektin dhe shpresojmë që së shpejti do ta marrim prej Ministrisë së Planifikimit edhe projektin te varrezat e dëshmorëve këtu në Prishtinë, sepse ai projekt prej që e ka marrë ministria ka ngecë, nuk bëhet asgjë dhe sot e pamë në gjendje të mjerueshme”, tha ai.
Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës tha se do ta marrin projektin për varrezat e Komunës së Prishtinës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se janë të gatshëm si Komunë që ta zbatojnë projektin.
“Prej momentit që e kam marrë mandatin ka qenë diskutimi për projektin, i cili është bërë në Ministri të Planifikimit, por tashmë u bënë tre vite që nuk po vazhdon ose nuk i kanë paret e nuk po e di se çka është arsyeja. Megjithatë, ne jemi të gatshëm si komunë e Prishtinës edhe ta marrim projektin, edhe ta zbatojmë apo ta bëjmë projektin e ri, ashtu siç e kemi bërë për varrezat e dëshmorëve në Marec. Pra, vitin e kaluar kemi filluar punimet dhe sot do e prezantojmë projektin. Në qoftë se ata nuk e kanë as gatishmërinë, as paratë, e as mundin që ta bëjnë një gjë të tillë ne si komunë do ta marrim vetë. I kemi diskutuar disa herë besoj që sivjet do ta marrim atë”, tha Ahmeti.
Kryetari i familjeve të dëshmorëve, dega në Prishtinë, Naser Pacolli, tha se Komuna e Prishtinës ka 70 dëshmorë dhe mbi 130 viktima civile.
Ai kërkoi nga institucionet edhe qendrore edhe komunale që të punojnë më shumë në përfundimin e ndërtimin e varrezave dhe në mirëmbajtjen e tyre.
“I bëj ftesë edhe Institucioneve edhe qendrore edhe komunale që ta ngrisin pak vigjilencën karshi këtyre dukurive që shpeshherë jo po ndahemi të kënaqur me rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave”, tha ai.
Ndërsa, Lirak Çelaj, kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë, i cili bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve, si dhe dhuroi gjak, tha se dhurimi i gjakut është simbolikë për të përkujtuar të gjithë ata që rënë që sot të jetojnë të lirë.
“Kjo ditë shënohet për hir të atyre që dhanë jetën që ne ta gëzojmë lirinë dhe në formë simbolike që bëhet vazhdimisht dhënia e gjakut. Unë jam dhurues i gjakut vazhdimisht, por edhe sidomos në këtë ditë është thjesht simbolikë, për të shprehur, për të përkujtuar gjithë ata të rënët që ne sot jemi të lirë dhe unë uroj dhe besoj që ne do ta vazhdojmë rrugën e tyre. Ne ende nuk kemi mbërri në cakun për çka ata u flijuan dhe unë mendoj që këto ditë na kujtojmë që edhe nëse devijojmë nga rruga që të kthehemi përsëri në rrugën për të cilën jemi nisur shumë dekada përpara”, tha Çelaj.
Për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Transfuzioni i Gjakut e ka organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” edhe ditën e dhurimit të gjakut ku vullnetarët mund të dhurojnë gjak gjatë gjithë ditës.
Menaxheri për marketing dhe informim në QTGJ, Fadil Mahmuti, tha se është hera e pestë që në këtë ditë dhurohet gjak dhe është shumë e rëndësishme pasi që nevojat për gjak janë shumë të mëdha.
“Sikurse po e shihni këtë radhë, që njerëzit po presin në radhë për të dhuruar gjak, po shpresojmë që do të jetë një aksion i mirë, sepse nevojat për gjak janë zakonisht të mëdha dhe shpresojmë që edhe ky numër gjatë ditës do vjen dhe do të rritet. Kjo është hera e pestë radhazi që në këtë ditë dhurojmë gjak veteranët e luftës dhe shpresoj që do të jetë një shembull i mirë. Neve si transfuzion faktikisht na ndihmon se flemë më qetë kur i kemi frigoriferët e mbushur me gjak”, tha ai.
Dita e dëshmorëve të komunës së Prishtinës shënohet çdo 18 prill. Përveç homazheve te varrezat për nder të të rënëve, në orët e pasdites do të organizohet edhe një akademi përkujtimore.
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin