Dy ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Haliti dhe Valentina Haliti, burrë e grua, të cilët sot janë invalidë të luftës, gjatë luftës u emërtuan si Shote dhe Azem Galica nga komandanti i UÇK-së Xheladin Gashi-Plaku.
Ata thonë se pas luftës jeta është bërë shumë e vështirë, për shkak se nuk gëzojnë kurrfarë të ardhurash dhe se nuk po iu njihet statusi invalidor i luftës, dhe se për këtë kanë protestuar edhe 24 orë para Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe nuk po arrijnë të gëzojnë pensionin invalidor.
Valentina Haliti gjatë luftës, e pagëzuar në luftë me emrin e Shotës, thotë se ndihet krenare me këtë emër të vënë nga komandat Plaku, i cili për të ka qenë një motivues dhe një burrë i mençur për t’i motivuar të rinjtë në luftë.
Ajo tregon për KosovaPress, se e pati vështirë në luftë të thërrasë baca Xheladinin, por çdo herë e ka quajtur daja Xhelë.
“Shote Galica” thotë se është shumë krenare që ka njohur njerëz dhe në histori që mbeten legjendë. Ajo tha se nuk bëri asgjë më shumë për Kosovën aq sa bënë një shqiptar për atdheun e vet.
Haliti: Xheladin Gashi më pagëzoi me emrin Shote Galica
“Në ato momente u ndjeva shumë emocionalisht, edhe ato dobësi që i kisha fizike, sepse bëhet fjalë për moshën 17-vjeçe të bësh ushtrime në një repart ushtarak, të mësosh armët që nuk ke prek asnjë herë armë me dorë dhe kur je një adoleshente nga Tirana dhe të pagëzojë një njeri shumë i madh si daja Xheladin me emrin Shote Galica mua më dha krah aq shumë, sa që unë munda me përballua edhe rrugën 24 orëshe nga Cahanaj në Libisht të Prizrenit, pa më ndihmuar askush”, rrëfen Haliti.
Ajo tha se në luftë përveç se ka qenë një ushtare, ka qenë edhe një kuzhiniere, e cila u ka gatuar ushtarëve të UÇK-së. Ajo tregon edhe për betejën e zhvilluar kundër forcave serbe ku mbeti e plagosur dhe nga ajo ditë mbeti edhe invalid i luftës.
Haliti: Jam mbetur invalid në betejën e Kllodernicës
“Jam plagosur në fshatin Kllodernicë me një betejë kur kemi pasur me forcat serbe, e cila ka zgjatë prej dy orë e gjysmë me gjashtë pjesëtarë të UÇK-së. Për momentin nuk i kam parë lëndimet serioze, vetëm pasi kemi kaluar dy orë e gjysmë, dy orë kur kemi kaluar nga ky fshat në Rakinicë, nuk e kam ndier veten që jam e plagosur vetëm derisa kam parë xhaketën e gjakosur”, theksoi Haliti për Kosovapress.
Haliti tregon se nuk gëzon asnjë pension invalidor, apo pension që luftoi për lirinë e Kosovës, e cila kishte lënë Tiranën për të luftuar në Kosovë.
Haliti: Asgjë fare nuk gëzojmë nga shteti
“I vetmi shpërblim për të ishte liria, të gjithë që ishim ushtarë nuk mendonim për shpërblime përveç lirisë. Ne ishim në mal non-stop dhe të vetmen gjë që kërkonim të jemi të lirë dhe populli i Kosovës të jetë i lirë. Ne luftuam për atdhe jo për shpërblim, e shpërblimi më i madh është liria. Nëse gjithë njerëzit janë të lirë kjo është gjëja më e bukur. Por tani ka ardhur koha që ne kemi luftuar për të qenë të robëruar nga padrejtësitë e këtij shteti. Kështu, mendoj unë, sepse nëse ligji është bërë për të gjithë, atëherë ne që kemi luftuar përse mos të gëzojmë një të drejtë. Asgjë fare ne nuk gëzojmë nga shteti, që kur ka mbaruar lufta ne asnjë lloj ndihme s’kemi nga shteti përveç këtë shtëpi që na ka dhënë kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku”, theksoi ajo.
Haliti thotë se kanë tre fëmijë dhe se kanë edhe probleme të rënda shëndetësore e të cilët paguajnë rreth 300 euro barna për çdo muaj, kurse marrin një social prej 100 euro.
Ndërsa, Hasan Haliti, i quajtur në luftë Azem Galica, që është inkuadruar në luftën e UÇK-së prej vitit 1995, rrëfen se ka ndierë veten mirë kur u emërtua nga komandant Plaku me emrin e heroit Azem Galica.
Haliti: E çmojmë shumë komandant Plakun
“Atë e çmojmë shumë lart, ai ka qenë njeri legjendë dhe legjendë ka mbetur për krejt Kosovën. Unë për vete personalisht e çmoj shumë dhe meriton të ketë emrin krejt Kosova Xheladin Gashi Plaku për krejt Kosovën, sepse ai ka bërë çmos për këtë vende, ka bërë organizimin e UÇK-së Kosovë-Shqipëri, ka udhëheq dhe frymëzuar luftën. Me fjalë të tij dhe veprat e tij janë të ngritura. Jam ndier shumë krenar me emrin Azem Galica, ngase për Drenicë dhe Kosovë nuk e nënçmoj askënd i vetmi unë jam me bashkëshorten që kemi luftuar në krejt Kosovën si Shota me Azemin. Nuk kemi bërë leçe në luftë dhe jemi si Shota e Azemi. Edhe ata kanë flijuar dhe kanë dhënë jetën, ashtu edhe ne në këtë kohë kemi luftuar, por jemi gjallë, sepse kemi ymër. Perëndia na ka shpëtuar ”, theksoi Haliti.
Ai thotë se pas luftës jeta është bërë shumë e vështirë nga se nuk kanë të ardhura dhe nuk po iu njihet statusi invalidor i luftës. Sipas tij, kanë protestuar edhe 24 orë para ndërtesës së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe nuk po arrin të marrin pension invalidor.
Haliti: Ne asnjë të drejtë nuk e gëzojmë
“Ne asnjë të drejtë nuk e gëzojmë. Këto dokumente i kemi dhe jemi pa asnjë të ardhur. Me social jetojmë, miqtë na përkrahin, na japin të holla, pikërisht miku im babai i nuses. 300 euro kemi shpenzime në muaj vetëm për ilaçe, ndërsa për rrymë, për bukë s’ka, produktet për jetesë, pesë anëtarë jemi”, tha “Azemi”.
Hasan Salihu me prejardhje nga Broja e Skenderajt, i cili tash jeton në Skenderaj ishte i fejuar me Valentinën nga Shqipëria gjatë luftës.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...