Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkimi i vendit të tij dhe Kosovës nuk mund të përjashtohet në qoftë se perspektivat e hyrjes rajonit në BE vazhdojnë të zbehen.
I pyetur në lidhje me bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, Rama për “Politico” në Bruksel, tha se nuk ishte dëshira e tij, por kjo është një alternativë e mundshme për dyert e mbyllura të BE-së.
“Askush nuk dëshiron aleanca të vogla, të gjithë duan në bashkimin e madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka të ardhme, nuk ka vend, pastaj, sigurisht, mund të ndodhin bashkimet e vogla”, tha Rama.
Megjithatë, Rama beson se për të gjithë në Ballkan, BE-ja duhet të jetë qëllimi, por në qoftë se nuk ka shpresë atëherë duhet menduar në lidhje me “bashkimet e vogla”.
Sipas tij, Evropa do të përjetojnë një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se zgjerimi i Unionit (Europian) mund të jetë jashtë rendit të ditës.
“Rajoni do të bëhet një zonë gri në të cilën aktorët e tjerë kanë një rol më të fuqishëm se Bashkimit Evropian”, ka thënë Rama. Rama paralajmëron se braktisja e anëtarësimit të mëtejshëm do të thotë destabilizim i të gjithë Evropës.
“Është një problem në të kuptuarit, mungesa e vizionit e të kuptuarit se rajoni ka nevojë për Europën, dhe se Europës i duhet rajoni. Si mundet Unioni të jetë i sigurt nëse Ballkani çmendet? Si mund të lejojë BE-ja që zemra e saj të jetë një zonë gri? Kjo është e pakuptimtë, kur flasim për mbrojtjen dhe sigurinë”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar tha se përkundër tensioneve në rajon, nga marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës deri tek përpjekjet e supozuara të grushtit të shtetit në Mal të Zi dhe e kërcënimi i referendumit në Republikën Serbe, deri te kriza në Maqedoni, nuk sheh “një luftë të re si skenarin e parë”.
“Megjithatë, qetësimi i tensioneve varet kryesisht nga BE dhe SHBA”, tha Rama.
Rama thotë, megjithatë, se ka iniciativa që udhëheqësit rajonalë të punojnë së bashku dhe se pjesërisht kjo është meritë e BE-së.
“Ju në Evropë e keni një brez që nuk e ka parë luftën. Ne në Ballkan po, ne kemi parë luftra, ne e dimë se çfarë do të thotë kjo. Kam vizituar Beogradin 68 vjet pas vizitës së fundit të Kryeministrit të Shqipërisë. Kolegu im (kryeministri serb Aleksandar Vuçiq) erdhi këtu për herë të parë. Ky është një tregues se si gjërat lëvizin në drejtimin e duhur për shkak të Evropës. Por nëse kjo magji evropiane zbehet, më besoni, gjërat mund të bëhen shumë keq”, tha Rama
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...