Katër të vdekur në vendin e punës vetëm brenda tre muajve

09:30 | 17 Prill 2017
arbresh.info

Viteve të fundit në Kosovë ka pasur shumë raste kur punëtorët kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Në shumë prej rasteve, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kushteve të nevojshme për siguri.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës tashmë janë në rënie krahasuar me vitet paraprake.

“Rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës janë në rënie. Në vitin 2014 dhe 2015 kemi pasur nga 17 vdekje në vendin e punës, ndërsa në vitin 2015 dhe 2016 kemi pasur nga 9 raste të vdekjes në vendin e punës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se këtë vit për dallim nga vitet e kaluara numri i  aksidenteve me fatalitet në sektorin e ndërtimtarisë ka rënë gati përgjysmë.

“Në vitet paraprake aksidentet me fatalitet kryesisht kanë qenë në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa në vitin 2016, pesë raste i kemi pasur në sektorin e ndërtimtarisë, katër raste në sektorë të tjerë”, shtoi ai.

I pyetur se sa po punohet për parandalimin e kësaj dukurie nga ana e tyre si institucione përgjegjëse, Brahimi tha se kanë përpiluar plane strategjike për ngritjen e shkallës së sigurisë.

“Duke e parë gjendjen e Sigurisë dhe Shëndetit në punë, me të cilën jemi të pa kënaqur, ne kemi përpiluar edhe plane Strategjike por edhe plane veprimi  me qëllim që të ndikojmë në ngritjen e shkallës së sigurisë në vendin e punës. Veprimet që i kemi ndërmarrë, po i përmendi disa inspektime më të shpeshta në sektorin e ndërtimtarisë çdo vit dhe atë muajt qershor, korrik, gusht, shtator janë të rezervuara vetëm për sektorët që kanë rrezikshmëri më të lartë, takime informuese me punëdhënësit e këtyre fushave, fushata vetëdijësuese etj”, është shprehur Ibrahimi.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë ka thënë për Arbresh.info se Ligji mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në Kosovë gjen shumë pak zbatim dhe mbikëqyrje.

Sipas tij, vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti në tërë territorin e Kosovës kanë ndodhur katër raste kur punëtorët kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës.

“Sa i përket politikave për sigurim në vendin e punës, ne kemi Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë i cili ligj shumë pak realizohet dhe mbikëqyret nga organet gjegjëse. Vlen të theksohet se vetëm këtë vit, pra nga 1 janari 2017 kemi katër raste të vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, ka deklaruar Azemi.

18015607_1931400690429320_784890791_o

Lëndimet në punë nuk mungojnë as në institucionet publike.

Vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, gjatë vitit 2017 kanë ndodhur tri raste të lëndimeve të lehta që kanë pësuar punëtorët në vendin e tyre të punës.

Sali Bllaca, zyrtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se këta punëtorë kanë marrë trajtimin e duhur.

“Me qëllim të sigurisë së shëndetit në punë të punëtoreve të QKUK-së, në vitin 2017, ky sektor ka të identifikuar tri raste të lëndimeve në punë, që janë paraqitur pranë zyrës së këtij sektori. Punëtorët e lënduar janë me lëndime të lehta trupor të shkaktuara nga rrëshqitjet në vendet e punës. Dy nga këta të lënduar janë lëndime të shkaktuar nga rrëshqitjet në hyrje të objekteve të punës si pasoj e ngricave të mëdha që kanë ndodhur në sezonin e Dimrit, kurse një punëtorë tjetër është lënduar si pasojë e pakujdesive në vendin e punës ku është rrëzuar si pasojë e ambientit të rrëshqitshëm i shkaktuar nga vajrat ushqimore”, ka thënë Bllaca.

Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë është ndërruar në vitin 2014 i cili është harmonizuar me legjislacionin e BE-së.

Në këtë ligj janë futur dy risi: Certifikimi i personave për siguri dhe shëndet në punë si dhe do të licencohen kompanitë që do të merren me vlerësimin e riskut dhe çështjet të tjera nga siguri dhe shëndeti në punë./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme