Politikat ekonomike të shtetit të Kosovës kanë qenë të kufizuara apo jo në favor të kompanive prodhuese?
Mungesa e stimujve fiskalë, furnizimi jo stabil me energji elektrike dhe çmimi i lartë i saj, kamatat e larta për kredi, por edhe marrëveshjet e nënshkruara më vendet e ndryshme të Evropës janë disa pengesat në zhvillimin e aftësive konkurruese të kompanive prodhuese në Kosovë.
Sipas afaristëve të kompanive prodhuese, në Kosovë ka kapacitete prodhuese, ka cilësi të produkteve, por nuk ka mbështetje nga qeveria.
Madje, afaristët konsiderojnë se prodhimet “ Made in Kosova” paragjykohen nga konsumatorët vendorë.
Megjithatë, ky sektor edhe nga zyrtarë të institucioneve, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të prodhuesve vlerësohet i rëndësishëm për krijimin e vendeve të reja të punës, edhe në aspektin e përmirësimit të bilancit tregtar që është i disfavorshëm për Kosovën.
Në rubrikën e përjavshme “Fokus”, rel sjell të përmbledhura disa nga problemet e përfaqësuesve të kompanive prodhuese në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se politikat fiskale nuk kanë qenë dhe nuk janë në favor të kompanive prodhuese dhe kjo ka bërë që ndërmarrjet të mos jenë konkurrente me kompanitë prodhuese të vendeve të rajonit.
“Është folur tashmë shumë gjatë dhe në mënyrë konkrete për prezantimin e lehtësive fiskale për pushimet tatimore, të cilat do t’i ndihmonin prodhuesit në vendin tonë. Por, deri më tani nuk ka asgjë konkrete dhe nuk ka hyrë në fuqi ndonjë veprim që do të plotësonte punën e sektorit të prodhimit”, thotë Zeka.
Kurse, kryesuesi i Komitetit të Prodhimit, Mërgim Prishtina, thotë se vetë ambienti i të bërit biznes në Kosovë është sfidues për industrinë prodhuese dhe kjo për shkak të politikave jo të favorshme fiskale që janë të aplikueshme në vend.
Ai përmend se ekziston Ligji për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, por ky ligj nuk i përfshinë 98 për qind e lëndëve të para që përdoren për prodhim. Në këtë mënyrë, sipas tij, krijohet një pabarazi më vendet e rajonit.
“Si problematikë që është ngritur nga prodhuesit, është pjesa e Doganës dhe taksës doganore në lëndët e para. Kjo kërkesë tashmë ka vite që është dërguar në institucionet kompetente, konkretisht në Ministrinë e Financave” , tregon Prishtina.
Por, problem krejt tjetër paraqet Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, kompani kjo që merret me prodhimin dhe përpunimin e patates në Vushtrri.
Kosumi thekson se Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, ka vështirësuar aktivitetin biznesor të prodhuesve kosovarë.
Ai thotë se prodhuesit në Kosovë nuk kërkojnë favorizime, por vetëm të jenë të barabartë me prodhuesit në rajon.
“CEFTA mund të themi se nuk ka sjell diçka të mirë për ne, për shkak se ne, si prodhues fillestar, kemi hyrë në garë me ata që kanë pasur 50 deri në 60 vjet përvoje pune”.
“Dihet që një fëmijë i vogël nuk mund të hyjë në garë më një 30-40 vjeçar. Do të thotë se jemi ballafaquar dhe ballafaqohemi me një konkurrencë jo reale, jo të barabartë. Nevojitet që urgjentisht të ndërmerret diçka”, konsideron Kosumi.
Kosova është bërë anëtare e Marrëveshjes për tregti të lirë në vitin 2007. Ky projekt i krijuar nga Bashkimi Evropian ka për qëllim lehtësimin e këmbimeve tregtare të vendeve anëtare.
Me këtë marrëveshje eliminohet taksa e pagesës doganore prej 10 për qind në të gjitha produktet, që vijnë nga shtetet anëtare të këtij projekti.
Sfidë tjetër në fushën e të bërit biznes, konkretisht përfaqësuesve të industrisë prodhuese, është mospërfshirja e Kosovës në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza.
Përfaqësues të biznese theksojnë se në mungesë të vizave kanë pësuar humbje të mëdha duke mos arritur të realizojnë takime me afaristë nga vende të ndryshme të botës.
Shaqir Palushi është pronar i kompanisë “Frutex”, e cila merret me prodhimin e pijeve jo alkoolike dhe energjetike në Kosovë. Kjo kompani importon produkte në vende të ndryshme të Evropës, por edhe botës.
Palushi tregon për Radion Evropa e Lirë se shumë herë ka ndodhur që edhe iu është refuzuar viza, pavarësisht asaj se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë të biznesit.
“Kemi pasur shumë raste kur na është refuzuar viza edhe kur kemi pasur punë me blerje të makinerisë, konkretisht të paktën 2 herë nga Sllovenia na është refuzuar, pastaj nga Austria. Së fundi kam marrë vizën për Gjermani, unë si pronar, por jo edhe punëtorët, të cilët janë pjesë e kompanisë tonë dhe përgjegjës për eksportin”, tregon Palushi.
Problemet e shumta në këtë sektor, kanë bërë që Kosova të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në prill të këtij viti, importi i mallrave ka kaluar në mbi 223 milionë euro, kurse eksporti mbi 27 milionë euro.
Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë vazhdimisht pohojnë përpjekjet për përmirësim të industrisë prodhuese.
Madje, në programin qeverisës, thuhet se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forcë kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik.
Në kuadër të përmirësimit të politikave fiskale përmendet edhe përshkallëzimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, ulja e pragut të TVSH-së dhe pushimet nga taksat.
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...
Edi dhe Xheneta diskutojnë në lavanderi, ndërsa Gjesti i për...
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty