Kërkohet rishikim i Kushtetutës, jo vetëm ndryshimet për ushtrinë

09:36 | 15 Prill 2017
Arbresh.info

Akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta e Kosovës, e cila këto ditë ka mbushur 9 vjet nga ratifikimi, duhet të pësojë ndryshime jo vetëm për themelimin e ushtrisë. Përveç kësaj, profesorë universitarë, vlerësojnë se Kushtetuta aktuale është e paqëndrueshme për shkak se në brendësi është futur materie më tepër politike.

Për profesorin e së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliun, thotë për Arbresh.info se Kushtetuta e Kosovës ka shumë mangësi, dhe si e tillë duhet të pësojë ndryshime.

“Pra kjo Kushtetutë nuk po i përballon kohës. Nuk është një prej Kushtetutave të qëndrueshme dhe për shkak se në brendësi është futur një materie shumë më tepër  politike”.

Ai shton se në Kushtetutën e Kosovës ka mekanizma të ndryshëm, të pa sqaruar mirë dhe kontradiktor.

“Edhe bllokues, siç është p.sh bllokimi i ndryshim plotësimit të Kushtetutës dhe ligjeve me interes vital të Republikës së Kosovës në 2/3 respektivisht me shumicën e votave, e sidomos ajo që është bllokuese dhe është instrument diskutabil edhe pengues, fatkeqësisht është shumica e komunitetit pakicë, sidomos komuniteti serb”.

Për këto arsye Baraliu konsideron se “kjo Kushtetutë  duhet që domosdoshmërish  të rishkruhet që nga preambula  e deri te dispozita e saj e fundit”.

Edhe profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, vlerëson se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë të menjëhershme për ndryshime-modifikime.

“Kushtetuta do të duhej të rishikohet nëpërmjet një analize kritike. Ia shohë për të madhe shumë Qeverisë se këtë punë nuk e ka bërë nga dita e parë e mandatit,  sepse është nevojë imediate për tu modifikuar”, thotë Smaka.

Smaka merr shembull rastin e zgjedhjeve të fundit, kur Kosova hyri në një ngërç politik për shkak të koalicionit pas zgjedhor nga partitë që humbën zgjedhjet, dhe nuk arritën ta bënin kryetarin e Kuvendit.

“Për shembull nuk është përcaktuar atje dispozitat që nëse dështon zgjedhja e kryetarit te Kuvendit nga propozimi i partisë apo i koalicionit më të madh çfarë të bëhet pastaj që duhet të jepet koalicionit tjetër pas elektoral. Ky është një nga shembujt  që do të duhej të plotësohet, ose ndryshohet”, thotë Smaka për Arbresh.info.

Ai shton se ka shumë dispozita që duhet të shikohen dhe të riformulohen.

“Ka shumë shpërputhje ndërmjet dy teksteve në dy gjuhet zyrtare që nga fillimi i preambulës. Në gjuhen shqipe Kosova është shtet i shtetasve të vetë, ndërsa në serbisht sipas nenit 5 të Kushtetutës thotë është shtet i qytetarëve të vetë dhe në gjuhen angleze është shtet i qytetarëve të vet d.m.th duhet të jetë plotësisht metodologjia juridike e harmonizuar”, thotë Smaka./Arbresh.info/Blerta Agushi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme