Thiago, gabimi më i madh i Barcelonës

08:52 | 15 Prill 2017
Arbresh.info

Thiago Alcantara, ka lindur në Itali nga prindërit brazilian, është zhvilluar në Spanjë, derisa po shkëlqen në Gjermani te Bayern Munichu, por për sa gjatë do të jetë te bavarezët?

Mesfushori brazilian me nënshtetësi spanjolle, Thiago Alcantara, është njëri ndër mesfushorët më premtues në botën e futbollit dhe po kërkohet nga shumë klube Evropiane.

Manchester City i Pep Guardiolas, Real Madridi i Zinedine Zidanes e Barcelona e Luis Enriques, janë klubet që do të jepnin gjithçka për ta pasur atë në radhët e tyre.

Thiago, djali i legjendës braziliane Mazinho, që fitoi Kupën e Botës me Romarion e Bebeton në vitin 1994 – shihej si zëvendësues ideal i Xavi Hernandez, por katalanasit vendosën ta shesin,

Kjo ndodhi në vitin 2013, në edicionin ku Barcelona fitoi titullin me 100 pikë, teksa në Champions u turpëruan nga Bayern Munich, duke u mposhtur 7:0 në dy ndeshje (4:0 Allianz Arena, 0:3 Camp Nou).

Menjëherë në fund të sezonit, Guardiola u largua për të lënë si pasardhës të ndjerin, Tito Vilanova, i cili e pëlqente shumë 26 vjeçarin.

Sipas “Diario Sport”, Vilanova ishte i vendosur që të rinovonte kontratën me Thiagon, ku do t’i jepte lojtarit një rrol më të rëndësishëm në ekip.

Por, Pere Guardiola, vëllai i Pep Guardiolës, që është agjenti i Thiagos, prishi gjithçka dhe e dërgoi lojtarin në Gjermani te Bayern Munichu.

Atë kohë, Bayerni e transferoi atë për 24 milionë euro, shifër kjo që është trefishuar pasi gjermanët nuk duan të dëgjojnë oferta nën 70 milionë.

“Ishte vendim i vështirë”, kishte thënë atë kohë Thiago. “Për të gjithë që do të vijnë nga La Masia, do të jetë kështu, pasi nuk dëshironi të largoheni nga Barcelona. Por, nuk është gjithçka si ndiheni ju, por si të tjerët ndihen për ty, çfarë mendojnë. Pep ka shfaqur gjithmonë besim në mua dhe kam mësuar shumë nga ai”.

Kjo deklaratë e dhënë atë kohë nga Thiago Alcantara, ka bërë katalanasit të kuptojnë se pasuesin e Xavit e kanë pasur në shtëpi, këtë më së miri e tregojnë edhe statistikat e lojtarit në Gjermani, ku po shkëlqen dhe është shndërruar në një ndër mesfushorët më të mirë në botë.

Ai është truri i mesfushës së ekipit të Carlo Ancelottit, ashtu siç ishte për trajnerin italian, Luka Modric te Reali.

Ndër vite, Barça ka transferuar shumë lojtar, si: Rakitic, Arda Turan, Andre Gomez, Denis Suarez apo edhe të riun Rafinha, vëllain e Thiagos, por asnjëri nuk ka mbuluar pozitën e lënë bosh nga Xavi, pozitë të cilën tani pas asnjë problem do ta mbulonte Thiago.

Pikërisht për këtë, Barca do të tentojë gjatë verës ta sjellë në “Camp Nou” 26 vjeçarin e ardhur nga akademia “La Masia”.Thiago disa herë ka përsëritur se është i lumtur në Bayern, por gjithashtu ka lënë ta hapur mundësinë e largimit dhe natyrisht se skuadra e parë që do të mendonte për t’u transferuar është Barcelona, aty ku u rrit si lojtar dhe e pati të vështirë t’i thotë lamtumirë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme