Limaj: E kemi detyrë nisjen e mocionit

21:36 | 14 Prill 2017
M. A.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se nisja e mocionit të mosbesimit është detyrë e opozitës që të inicojë një gjë të tillë kur e sheh që shteti nuk po funksionon.

Sipas tij, mocioni për rrëzimin e qeverisë ka marrë përkrahje nga deputetë të mazhorancës.

“Mosbesimi ndaj qeverisë nuk mund të vie nga brenda, por nga partitë opozitare. Ne në këtë drejtim, si iniciativë ka gjetur mbështetje nga opozita, por ka edhe nga deputetë të mazhorancës. Ne si opozitë duhet ta kryejmë punën tonë, rezultatin e shohim pastaj. Duhet të marrim iniciativa dhe ideja e kësaj është që t`u japim mundësi të gjithë deputetëve që të shprehen se çka do të bëjnë me vendin. A duan ta vazhdojnë këtë bllokadë, apo duan ta ndërprejnë e të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, sepse tashmë asgjë nuk po funksionon”, ka thënë Limaj në RTK.

Ai ka thënë se qeveria e tanishme vetëm sa e ka thelluar krizën në vend, ndërsa zgjedhjet do të jepnin mundësi për ta ndryshuar këtë situatë.

“Ne presim nga shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës për ta ndryshuar gjendjen. Kjo qeveri e ka thelluar krizën politike në vend, si asociacioni e demarkacioni. Zgjedhjet japin mundësi të re për të ndryshuar këtë gjendje. Kanë premtuar vende të punës, investime, përmirësim të ekonomisë, shëndetësisë, arsimit”, ka thënë tutje ai.

Ndryshe, Limaj ka shtuar se në javët e ardhshme do të jenë dinamike në realizimin e mocionit për rrëznimin e qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme