Ipeshkvi Dodë Gjergji: Të promovohet toleranca ndërfetare

17:29 | 14 Prill 2017
Arbresh.info

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në urimin e tij me rastin e Festës së Pashkëve, ka thënë se kjo festë është momenti më i mirë për të hapur zemrat njeri-tjetrit, pasi është festa e paqes dhe e pajtimit, ku mëshira dhe dashuria ngadhënjejnë mbi çdo të keqe.

Ai tha se Pashkët konfirmojnë paqen e Krishtit, dhe i fton të gjithë njerëzit që të bëhen bijtë dhe bijat e paqes.

“Paqja është e garantuar nga ata që e ndalën luftën, por kjo nuk do të thotë që ne jemi duke jetuar në paqe, pasi që ajo s’ka depërtuar akoma në mendjen dhe në zemrën e secilit. Këndej, edhe kemi shumë pasoja të dhimbshme, siç janë: individë, të cilët nuk mund të përballojnë mungesën e paqes në zemër dhe vendosin të vetëvriten; familje, që nuk arrijnë të kultivojnë paqen brenda gjirit të vet dhe vendosin të divorcohen, e rrjedhimisht, t’i dënojnë fëmijët e tyre që të jetojnë e të rriten të vetmuar; grupe, të atyre që u angazhuan të ndalin luftën e s’arrijnë të kuptojnë, që me të njëjtat metoda nuk mund të kultivojnë paqen; përfaqësues të shoqërisë dhe të pushtetit, duke qenë që s’arrijnë të sigurojnë paqe për të gjithë, akuzojnë njëri-tjetrin për mungesën e saj brenda nesh. Nuk mungojnë edhe ata që kanë frikë nga vetë paqja, e kjo i bënë të jenë në konflikt me të kaluarën… Th ënë me pak fjalë, duket se, qëkur ndër ne mungon lufta, e kemi përdorë kohën për t’i shpallë luftë vetës tonë. Përdorimi i lirisë për të kultivuar urrejtjen ndaj tjetrit, s’është gjë tjetër veçse mungesë e dashurisë. Këndej, sikurse s’ka pajtim pa falje, ashtu as paqe dhe liri të vërtetë pa dashuri”, ka thënë ipeshkvi Dodë Gjergji.

Ai edhe me këtë rast ka bërë thirrje për paqe dhe dashuri, si dhe për të promovuar tolerancën ndërfetare dhe ndërvëllazërore.

Ndryshe, mesha solemne e Pashkëve do të mbahet nesër duke filluar nga ora 21.00 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, të cilën do t’i prijë Ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ndërsa të dielën, më 16 prill, mesha e Ditës së Pashkëve do të mbahet po ashtu në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke filluar nga ora 11.00. Në mbarim të meshës, rreth orës 12.00, Katedralja “Nënë Tereza” ka përgatit 1.000 vezë të pashkëve që do t’iu dhurohen fëmijëve të qytetit të Prishtinës.

Ipeshkvi i Kosovës, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, do të kremtojë meshën e Ditës së Pashkëve në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, në ora 11:00, ndërsa nga ora 19.00-20.00 pritja solemne për Pashkë do të bëhet në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales “Nënë Tereza” Prishtinë, e cila organizohet nga Ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji. Po këtë ditë do të mbahen edhe dy mesha në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë (anglisht) nga ora 17.00 dhe ora 18.00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme