Moska i dha mbështetje grusht shtetit të dështuar në Malin e Zi

22:18 | 12 Prill 2017
Arbresh.info

Shtëpia e Bardhë sot ka konfirmuar se kishte marrë informacione të besueshme, sipas të cilave Moska ka dhënë mbështetjen e saj për grusht shtetit të dështuar në Malin e Zi, tetorin e kaluar.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i atribuoi Moskës përgjegjësinë për këtë projekt për grusht shteti, programuar të ndodhte ditën e zgjedhjeve legjislative më 16 tetor.

Kjo deklaratë ndodhi në të njëjtin moment kur sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u takua në Moskë kreun e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov për bisedime të rëndësishme mbi konfliktin sirian dhe pikërisht para takimit të njoftuar me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet në muajin tetor në Malin e Zi”, theksoi zyrtari, nën mbulimin e anonimatit, duke përmendur informacione të besueshme për një mbështetje ruse për një tentativë sulmi kundër qeverisë ditën e zgjedhjeve.

Prokurori special malazez, Milivoje Katniç konfirmoi në shkurt se organet e shtetit rus ishin përfshirë në komplotin e dështuar që kishte si objektiv të pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme