Vonesat e shumta gjatë procesit të analizimit të produkteve të importuara, nevoja për thjeshtësimin e procedurave të licencimit dhe rritjen e efikasitetit të punës së inspektorëve në pikat doganore me qëllim të sigurisë së cilësisë së ushqimit, si dhe barrierat e ndryshme që vështirësojnë punën e bizneseve, ishin disa nga çështjet të cilat u diskutuan në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci.
Kryesuesi i Komitetit të Tregtisë të Odës Amerikane, Avni Krasniqi, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e bizneseve dhe AVUK-ut, sidomos viteve të fundit, duke e cilësuar këtë partneritet si shumë të rëndësishëm në arritjen e rezultateve sa më të mira. Ai shtoi se është më se e nevojshme krijimi i procedurave sa më të thjeshta dhe të kuptueshme, të cilat janë lehtë të implementueshme edhe nga ana e bizneseve, duke mundësuar kështu lëvizje më të lehtë të mallrave. Si një ndër shqetësimet aktuale të bizneseve të sektorit të tregtisë, ai përmendi vendosjen e inspektorëve fitosanitarë në pikat doganore, e cila vetëm sa e vështirëson punën e agjentëve të kompanive përkatëse në këto pika.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, shprehu gatishmërinë e tij dhe të Agjencisë që ai drejton në trajtimin e duhur të të gjitha shqetësimeve, sugjerimeve apo rekomandimeve nga ana e bizneseve, drejt krijimit të lehtësirave dhe një ambienti sa më të përshtatshëm të zhvillimit të veprimtarisë së tyre.
Ai i informoi të pranishmit rreth punës qe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është dukë bërë drejt thjeshtëzimit të procedurave dhe ngritjes së nivelit të kontrolli, si dhe hartimit të një programi që ka të bëjë me importin e mallrave. Ai gjithashtu u shpreh optimist me rastin e akreditimit të disa laboratorëve privat, të cilët do të mundësojnë në kryerjen sa më efikase të punëve, njëkohësisht edhe eliminimin e vonesave të analizave të produkteve.
Sa i përket çështjes së terminaleve të brendshme, Gjinovci tha se kjo i ka shkaktuar edhe vet Agjencisë një kosto të madhe financiare dhe humane, duke premtuar se do të marrin masat e duhura në zgjidhjen sa më të shpejtë të saj.
Në vazhdim, përfaqësuesit e kompanive anëtare të Odës Amerikane patën rastin të shprehin qëndrimet e tyre mbi sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen, duke theksuar si problemet kryesore procedurat burokratike dhe afatet e stërzgjatura të tyre, me ç’rast z. Gjinovci u zotua se do t’i marrin parasysh dhe do t’i shqyrtojnë të gjitha pikat e diskutuara në tryezë, duke mbetur edhe më tej të përkushtuar për krijimin e mekanizmave më të shpejtë të reagimit ndaj këtyre problemeve të komunitetit të biznesit, në mënyrë që të reduktohet sa më shumë numri i tyre në të ardhmen.
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...