Google ADS

Kujt i konvenojnë zgjedhjet?

18:58 | 10 Prill 2017
M. A.

Filozofi dhe publicisti, Shkëlzen Maliqi, ka komentuar situatën politike që për momentin mbretëron në Kosovë dhe ka folur për indikacionet që potencialisht mund të çojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Maliqi në Info Magazine të Klan Kosovës pohoi se disa nga partitë politike e kanë më të favorshme të shkojnë tani në zgjedhje, përkundër disa partive të tjera.

“Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme po flitet shumë se mund të ndodhin në qershor, një lloj parafushate sikur ka nis. Por, nuk po shoh se të dy palët e kanë disponimin e njëjtë për të dalë në zgjedhje. Isa Mustafa nuk është i sigurt se a i do zgjedhjet, Ndërsa PDK duket më shumë e interesuar”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, tani mendon se ka një momentum të favorshëm politik për të shkuar në zgjedhje.

“Kadri Veseli me ekipin e tij do të shfrytëzojë momentin kur supozohet se sërish do të dalë si parti e parë”, ka pohuar Maliqi, i cili e ka komentuar dhe figurën e kryetarit të ri të PDK-së.

“Fillimin e ka pasur të vështirë, pasi mund t’i ketë munguar përvoja, por tani po sillet pak më natyrshëm. Ai e ka trashëguar një parti që për shumë vjet është e para dhe tani po mundohet ta mbajë. Nga ekipi që ka mbledhur mund të shihet se e ka marrë punën shumë seriozisht”.

Publicisti i njohur ka komentuar edhe gjendjen e opozitës në vend.

“Tani opozita më nuk është unike. Shpenzuan shumë energji për të rrëzuar Thaçin dhe qeverinë, por përfunduan ashtu që i bashkuan më shumë partnerët e qeverisë”.

“Tani ka biseda serioze ose premtues që edhe këto subjektet që kanë qenë në opozitë tash me variante të tjera të ardhjes në pushtet”.

Sa i përket sondazheve të fundit, Maliqi ka thënë se “dyshoj që matjet kanë qenë të sakta, pasi ky ndryshim drastik nuk mund të ndodhë aq lehtë. Ne kemi një elektorat stabil”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme