Google ADS

Ekspertët: Kosova ka Kushtetutë jofunksionale

17:36 | 10 Prill 2017
M. A.

Nëntë vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktin më të lartë juridik vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme të ndryshimit.

Për këto nëntë vjet, u ndërmorën disa nisma për ndryshimin dhe amendamentimin e kësaj Kushtetute, por të cilat në fund u përmbyllën pa sukses.

Si shtet shumë etnik, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.

Si e tillë, Kushtetuta e Kosovës, sipas ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në disa raste e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. Aktualisht, ndryshimet kushtetuese po e mbajnë peng formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ish-diplomati amerikan dhe shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën në vitin 2000, Louis Sell, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare ia ka përshkruar Kosovës, në një mënyrë, një Kushtetutë jofunksionale dhe tani duhet t’i ndihmojë Kosovës që përmes procedurave kushtetuese ta krijojë ushtrinë.

Sell thotë se është e kuptueshme që Kosova e do ushtrinë e saj, por ky proces varet nga marrëdhëniet e saj me vendet perëndimore dhe prandaj Kosova duhet ta kuptojë seriozisht atë që i thonë miqtë – që ky proces të kryhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është ajo që, në një mënyrë, e ka ngarkuar Kosovën me një Kushtetutë jofunksionale, e cila një grupi i mundëson që nën udhëzimet e një shteti tjetër të bllokojë ndryshimet e mëdha, siç janë këto”.

“Tani varet nga bashkësia ndërkombëtare që duhet të përcjellë procedurat kushtetuese për të gjetur mënyrën se si të ndodh kjo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova duhet të shoh interesat e saj”, tha Sell.

Sipas tij ‘Kosova duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë deri sa ajo të luan drejt’.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i në Qeverinë e Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Kushtetuta, që nga miratimi i saj është sfiduar, por sipas tij, janë ndërtuar edhe mekanizma që e mbrojnë Kushtetutën nga sfidimet.

“Ka nevojë që Kushtetuta të jetë edhe më evolutive se sa që është norma juridike. Natyrisht veçantia e ndryshimit ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve shtetërore. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Por, tani ka të bëjë sa u përket kapaciteteve të armatës së Kosovës. Ajo çka dua të them që shtrirja e saj, respektimi i saj, është për tërë territorin e vendit, por njëkohësisht kërkohet, po e quaj, respektim nga të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh etninë e tyre”, tha Kuçi

Kuçi tha se Kushtetuta e vendit ka lejuar që të vihen bazat e shtetit sovran dhe demokratik dhe, siç tha ai, aty janë të parapara mundësitë dhe detyrat që të inkorporohen minoritetet në kuadër të institucioneve dhe shoqërisë.

“Ndryshimet politike që kanë ndodhur në vitin 2014 me Listën Serbe, kanë krijuar pengesa të tilla, e kundërta ka qenë më herët, kur asnjë pengsë në ndërtimin e institucioneve tona nuk ka ndodhur”, tha Kuçi.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute, rrjedh nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i presidentit Marti Ahtisaari, ku u janë përshkruar të drejtat e veçanta grupeve minoritare.

Eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, tha se në vend se Kushtetuta të shtyjë dhe ndihmojë proceset zhvillimore, ajo paraqitet si bllokuese dhe pengues e proceseve.

“Koha ka dëshmuar, pas kaq vitesh aplikimi të Kushtetutës, që thjesht ato mekanizma janë më tepër bllokues dhe barriera krijues sesa shtytës, ndihmues dhe mobilizues të zhvillimit dhe të avancimit të proceseve edhe politike edhe të zhvillimit ekonomik- social dhe gjithëpërfshirës. E po ashtu edhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Instrumentet e instaluara në këtë Kushtetutë kanë vend në udhëkryq zhvillimin e mëtejmë të vendit, por edhe nxjerrjen ose miratimin e vendimeve me karakter dhe interes vital për vendin”, tha Baraliu.

Mekanizmat normativ që janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, thotë Baraliu, kanë qenë politikë dhe imponues, andaj, sipas tij, ato tani duhet ndryshuar.

“Kjo Kushtetutë, përkundër anësisë që ka historike, përkundër faktit që është një libër i shenjtë, ose do të duhej trajtuar si një lloj libri i shenjtë, ajo për faktin se është një produkt i imponuar apo më mirë thënë është produkt i një projekti politik i cili është tejkaluar, po flas për propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, i cili është i tejkaluar, andaj kjo Kushtetutë duhet domosdoshmërish të rishkruhet fill dhe fund”, u shpreh Baraliu.

Akti më i lartë juridik ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumëtnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme