Numri i madh i qenve endacakë nëpër rrugët e kryeqytetit po vazhdon t’i shqetësojë qytetarët e Prishtinës, pasi që jeta e tyre po rrezikohet nga kafshimi i tyre, por edhe nga bartja e ndonjë sëmundjeje.
Komuna e Prishtinës thotë se nuk ka mundësi që të përballen vetë me këtë problematikë.
Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës në një prononcim për Arbresh.info thotë se me legjislacionin dhe kapacitete buxhetore që kanë është e vështirë të merren vetë me çështjen e qenve endacakë.
“Si Komunë e Prishtinës, e kemi theksuar disa herë se me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore, komunat nuk kanë mundësi të përballen vetë me këtë problematikë. Duhet strategji nacionale për trajtimin e këtij problemi, strategji në të cilën mund të participojmë edhe me fonde edhe me lokacion. Kjo për shkak se edhe nëse arrijmë t’i trajtojmë të gjithë qentë që janë brenda territorit të Prishtinës sot, qysh ditën e nesërme vendi mbushet me qenë që lëvizin nga komunat tjera”, ka thënë Tahiri.
Ai ka treguar se zbatimi i kontratës për trajtimin e qenve endacakë në strehimoren e fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës tashmë ka filluar dhe se pas përfundimit të saj, komuna do të ndajë buxhet edhe për kontrata të tjera të ngjashme.
“Aktualisht është duke u zbatuar kontrata prej 25 mijë eurosh, përmes së cilës do të trajtohen rreth 700 qenë endacakë në strehimoren në Harilaq. Kur të përfundojë kjo kontratë, komuna ka të zotuara edhe 50 mijë euro të tjera për kontrata të tjera eventuale”, është shprehur ai.
Driton Gusia nga organizata “Të bashkuar për kafshët” ka thënë për Arbresh.info se strehimorja që gjendet në Harilaq nuk po e bënë trajtimin e duhur të qenve që dërgohen atje.
Sipas tij, kësaj strehimore po i jepen tenderë me radhë nga komunat e Kosovës, tenderë të cilët sipas tij janë të jashtëligjshëm.
“Në përgjithësi komunat favorizojnë ose Shoqatën e Gjuetarëve përmes së cilës e adresojnë problemin e kafshëve endacake në mënyre ilegale, ose një kompani private në Harilaq të quajtur Qendra Kosovare për Trajtimin dhe Sterilizimin e Qenëve Endacake cila vit pas viti fiton ekskluzivisht të gjithë tenderët e Komunave mirëpo ne dyshojmë se ata kanë kapacitet të trajtojnë gjithë ata qenë. Sipas vëzhgimeve tona, shumë nga qentë e mbledhur nuk kthehen në rrugë të kastruar, siç pretendon kompania në fjalë në tenderët e fituar. Edhe komuna e Vushtrrisë i ka dhënë tender kësaj kompanie dhe dokumentin publik e ka fshirë nga faqja zyrtare menjëherë pas. Kjo praktikë është tërësisht ilegale”, ka thënë Gusia.
Sipas tij, shumë qenë kanë ngordhur pikërisht në strehimoren e Harilaqit.
Gusia ka shtuar se shpresojnë që në të ardhmen të kenë bashkëpunim më të mirë me institucionet në mënyrë që tu sigurohet mbështetja financiare për trajtimin e duhur të qenve.
“Ne mbështesim metodën e kontrollimit të pjellshmërisë si e vetmja metodë efektive për zgjidhjen e problemit me qentë endacak. Më specifikisht metoda që ne e rekomandojmë quhet KSVL (kapja – sterilizimi – vaksinimi – lëshimi) apo CNVR siç njihet në gjuhën angleze. Qentë të cilët vlerësohen si miqësor, të sigurt dhe të shëndoshë nga profesionistet kompetentë, sipas kësaj metode, do të duhej të kapen, sterilizohen dhe mbahen nën strehim një javor derisa rehabilitohen dhe risocializohen dhe vaksinohen, e pastaj të kthehen në rrugë ku janë marrë fillimisht nëse nuk adoptohen,” ka thënë ai.
Gusia vlerëson se qentë të cilët kanë komplikime të rënda apo të patrajtueshme shëndetësore si dhe ata që konstatohen nga ekspertët të paraqesin rrezik për rrethin, vriten përmes metodave humane të eutanazisë.
Kështu qentë e liruar me etiketa në veshë do të jenë të sigurt për rrethin, të vaksinuar, steril./Arbresh.info/
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...