Selimi: Thaçi është përgjegjës që Kosova nuk ka sot ushtri

16:33 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka shpalosur qëndrimet dhe shqetësimet e kësaj partie pas tërheqjes së projektligjit për FSK-në nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se ky i fundit është sot përgjegjësi kryesorë pse Kosova është pa ushtri, kurse, tash kjo cështje mund të shkoj në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Deputeti Rexhep Selimi në emër të Lëvizjes Vetëvendosje bëri përgjegjës Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin për mosformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai tha se LVV ndjehet keq që koha nuk e demantoi dhe doli që me të vërtetë e tërë kjo ishte një farsë.

Selimi: Thaçi është përgjegjës që Kosova nuk ka sot ushtri

“Kosova dhe FSK-ja është në një pozicion shumë të pafavorshëm për pasojë të një aventure të atij burri që e mban të uzurpuar zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe për këtë të njëjtin person e bëjmë përgjegjës që Kosova sot edhe nuk ka ushtri, Kosova sot nuk ka si duket edhe horizont, edhe të ardhme që ta bëjë Kosovën me ushtri. Prandaj ne sot jemi këtu që ta bëjmë përgjegjës pikërisht Hashim Thaçin dhe të gjithë ata që kanë bërë Kosovën ta ketë rrezikuar jo vetëm të tashmen e sigurtë por po ashtu edhe të ardhmen e sigurtë duke mos e pasur të sigurtë themelimin e ushtrisë së Kosovës”, tha ai.

Ndërsa sa i përket kohës kur duhet të bëhet kjo ushtri dhe si duhet të bëhet, Selimi tha me bindje se për sa kohë që kemi këtë qeveri në pushtet nuk do të ketë ushtri.

Selimi: Kosova nuk mund të ketë ushtri me këtë Qeveri

“Për aq sa kemi këtë pushtet, për aq sa kemi këtë Qeveri, Kosova nuk do të ketë ushtri, jo për shkak se këta mund apo nuk mund ta bëjnë por për dy arsye shumë thelbësore. Kosova nuk do të ketë ushtri për shkak se duket se është kusht i koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe, dhe e dyta Kosova nuk do të ketë ushtri me këtë Qeveri për shkak se mungon vullneti politik i kësaj Qeverie për ta bërë Kosovën me ushtri”, tha ai.

I pyetur se çka do të bënte Lëvizja Vetëvendosje në një rast të tillë nëse do ishte në pushtet, Selimi theksoi se arsyeja për këtë gjendje fshihet pas koalicionit LDK-PDK-Lista Serbe, prandaj kur Lëvizja Vetëvendosje të vijë në pushtet nuk do të lejojë që të ketë ‘këso lloj listash serbe që nuk mbrojnë interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”.

Selimi: Nëse ne do ishim në pushtet nuk do kishte Listë Serb

“Nëse ne do të ishim në pushtet dhe kur ne të jemi në pushtet nuk do kemi kësisoj listash serbe. Ne sot kemi Listën Serbe në Parlamentin e Kosovës jo si pasojë por kemi Listën Serbe si pasojë e marrëveshjes së kryeministrit të Kosovës të atëhershëm dhe kryeministrit të atëhershëm të Serbisë. Pra si pasojë e këtyre marrëveshjeve të nëntokës sot ne kemi një subjekt parapolitik në Parlamentin e Kosovës, i cili subjekt nuk mbron interesat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës por reprezanton interesat dhe politikat e qeverisë së Beogradit dhe rrjedhshëm dihet qëndrimi i Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se tërheqja e ligjit ka qenë pjesë e skenarit.

Selimi: Mund të shkoj në Bruksel

“Kjo iniciativë paska pas nisur për të dështuar dhe për të ardhur në një pozicion ku ne përveç që kemi rrezikuar FSK-në dhe një ambient të sigurt, duket që po rrezikojmë që çështja e FSK-së mund të shkoj në tryezën e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel “, ka thënë ai.

Selimi tha se gjatë gjithë kohës kjo lëvizje kishte bërë përpjekjet më të mëdha që ta bëjë Qeverinë që ta zbatojë fillimisht ligjin për FSK-në dhe po ashtu ta avancojë deri në arritjen e kapaciteteve të saj ushtarake

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme